Një person i veshur sportiv, me maskë në fytyrë dhe kapele e kapuç në kokë është autori i djegies së automjetit të drejtores së Tatimeve dhe Taksave në Bashkinë e Vlorës, Anjeza Shiko.
Ngjarja ndodhi në orët e para të kësaj të hëne, në lagjen numër 1 të qytetit, kur siç shihet edhe në këto pamje të marra nga kamerat e sigurisë, autori ka hedhur lëndë djegëse mbi automjetin tip Volksëagen dhe më pas i ka vënë flakën.
Familjarët u njoftuan nga fqinjët se në garazh kishte tym. Dëmet në makinë ishin të konsiderueshme. Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë policia thotë se ka shoqëruar disa persona me qëllim zbardhjen e motiveve dhe autorit të ngjarjes. Për familjarët, shkak mbetet detyra e Anjeza Shikos.
“Vërej që futet dikush nga hyrja e garazhdit, vjen te makina, i hedh benzinë, i maskuar. Me kapuç gri. Mbaroi punë, u kthye po andej nga hyri. Na njoftoi një komshi që tha konstatoj tym në garazhd. Vijmë këtu dhe e shohim. I hodhëm ujë, u njoftua zjarrfikësja dhe policia. Erdhën në kohë. Hasmëri nuk kemi, është vetëm për shkak të detyrës”, u shpreh i ati i drejtoreshës së Tatimeve Vlorë.
Shuarja e zjarrit u bë nga zjarrfiksja. Përveç marrjes së kamerave të sigurisë, hetuesit kanë marrë në pyetje zyrtaren lokale dhe familjarët e saj.
Tv Klan