Zbardhet dinamika e vrasjes së ndodhur pasditen e dielës në një restorant në Ndroq të Tiranës. Klan News ka mësuar se Alfred Dedja sapo ka hyrë në restorant i është drejtuar tavolinës ku po drekonte Julian Gjoshi, i cili ndodhej nën shoqërinë e personave të tjerë. Fillimisht mes tyre ka pasur një debat për disa sekonda.

Burime bëjnë me dije se 27-vjeçari Gjoshi nuk e ka nxjerrë pistoletën por ka qëlluar nga brenda xhepit të xhupit që mbante veshur. Alfred Dedja është qëlluar me 5 plumba, 3 prej tyre e kanë kapur në trup duke humbur menjëherë jetën. Pas krimit ai është larguar me një mjet “Benz” dhe ende nuk është arrestuar. Hetuesit kanë gjetur mjetin e tij në zonën e Shkëmbit të Kavajës, por jo armën e përdorur në krim.

Policia është rikthyer edhe njëherë këtë të hënë në lokalin ku ndodhi ngjarja për të mbledhur provat e nevojshme. Mësohet se janë pyetur rreth 20 persona në komisariat, mes tyre dhe të afërm të viktimës dhe autorit.

Alfred Dedja jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë dhe kishte njohje me autorin. Pak ditë më parë ata kanë pasur edhe një konflikt mes tyre. Motivi i krimit ende nuk është zbardhur nga hetuesit, por paraprakisht dyshohet se shkak është bërë prishja e pazareve të drogës jashtë vendit.

Autori i dyshuar Julian Gjoshi, është me precedentë penal për “armëmbajtje pa leje” dhe ka bërë 11 muaj burg. Emri i tij përmendet edhe tek vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën ndaj ish-deputetit e PS-së Jurgis Çyrbja.

Në dosje thuhet se kunati i Gjoshit, Altin Hajri i kërkon ish-deputetit që ta ndihmojë për ta liruar atë nga burgu. Altin Hajri është në kërkim që prej Janarit të 2020 për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Klan News