Dinamo triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Egnatias, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në Superligë. Fitore e rëndësishme për ekipin e Ilir Dajës, që e mbyll vitin 2024 në krye të renditjes me 34 pikë të grumbulluara.

Pritej të ishte një ndeshje spektakolare dhe ashtu rezultoi. Pas disa rasteve të shpërdoruara, sfida u zhbllokua në minutën e 25-të.

Mandela i dha avantazhin dinamovitëve, duke shënuar pas dy gjuajtjeve, me të parën që u ndal nga portieri Dobjani.

Egnatia provoi të reagojë, por pjesa e parë nuk prodhoi gola të tjerë. Në fraksionin e dytë, Dinamo u shfaq kërkuese në fillim dhe u shpërblye me një tjetër gol.

Në minutën e 58-të, ishte Zabërgja i cili me një shpërthim nga e majta, kaloi dy lojtarë dhe asistoi për Nanin në zonë, me portugezin që nuk e kishte të vështirë të shënonte, pak metra larg portës.

9 minuta më vonë, Egnatia gjeti golin që rihapi takimin. Ndreca me një gjuajtje fluturimthi pas asistit të marrë nga Kasa, ngushtoi diferencat në 2-1.

Ky gol i dha besim rrogozhinasve, që u hodhën totalisht në sulm, në kërkim të barazimit, por pa sukses. Me këtë humbje, Egnatia e mbyll vitin 2024 në vendin e katërt me 30 pikë të grumbulluara. /tvklan.al