Në kuadër të shënimit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Kongresin e Manastirit qeveria e Maqedonisë së Veriut organizoi akademi solemne. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se së bashku duhet të punohet për krijimin e një shoqërie të përbashkët në vend.
“22 Nëntori, na kujton Kongresin e Manastirit, të mbajtur në vitin 1908. Aty, me urtësi dhe unitet, intelektualët morën një vendim që do t’i hapte rrugën të ardhmes së gjuhës shqipe: krijimin e një alfabeti të vetëm e të standardizuar.Ky vendim nuk ishte vetëm gjuhësor, ishte një akt për të krijuar një të ardhme dhe një pikë referimi kulturore. Të investojmë në shkrim-lexim, t’i hapim dyert e arsimit për të gjithë, të krijojmë shoqëri ku ditja të jetë arma më e fuqishme. Vetëm kështu mund të ndërtojmë shtet që do të jetë gati për të ardhshmen”.
Në këtë akademi, zv.kreyministri i parë Izet Mexhiti, theksoi se debati mbi shfuqizim e Gjuhës Shqipe po bëhet në mënyrë tendencioze. Ai pret nga Gjykata Kushtetuese vendim të drejtë.
“Sivjet festimet për Ditën e Alfabetit na gjejnë në mes të një debati të nxehtë lidhur me përdorimin zyrtar të Gjuhës Shqipe në vendin tonë. Qëllimisht i nxitur për të zhvendosur interesimin publik dhe për të prodhuar kriza artificiale aty ku nuk ka, ky debat është duke shkaktuar tensione të panevojshme në shoqëri e madje edhe në rajon. Presim nga Gjykata Kushtetuese që të merret me aspektet e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarit dhe jo të lëshohet në konsiderata politike të çështjeve aktuale dhe në këtë mënyrë të kthehet në palë në vend se të ngelet arbitër i paanshëm dhe larg ndikimeve polarizuese politike kur merr vendime.”
Kreu i partisë më të madhe opozitare shqiptare, Ali Ahmeti i BDI-së bëri thirrje për mbrojtje të Gjuhës Shqipe nga sulmet e përditshme. Ai thekson se çështja kombëtare, gjuha, flamuri, bashkimi e integrimi, kërkojnë përkushtim nga burra e gra idealistë e misionarë!
Ndërsa si një ndër datat më të rëndësishme për shqiptarët e ka cilësuar edhe presidentja e vendit Gordana Siljanovska, duke theksuar se respektimi i dallimeve gjuhësore e bën këtë shtet një shoqëri demokratike dhe multikulturore.
Kreu i integristëve Ali Ahmeti në këtë ditë bën thirrje për mbrojtje të Gjuhës Shqipe.
Tv Klan