Në ditën kombëtare të jetimëve, Ministri i sapoemëruar i Punës dhe Çështjeve Sociale, Viktor Gumi, ka vizituar shtëpinë e fëmijës, Zyber Hallulli në Tiranë, prej ku edhe iu premtoi se kjo kategori në katër vitet e ardhshme do të jetë prioritet i Ministrisë së Punës.
Viktor Gumi: “Kjo do të jetë dita jo vetëm për të parë të kaluarën dhe për të bërë bilancet negative, por në katër vitet që do të vijnë do të jetë dita ku do të bëjnë vetëm bilancet pozitive të jetës suaj. Shumë gjëra janë bërë në këto katër vite. Besoj të gjithë janë koshientë dhe e kanë parë realitetin e prekshëm të përmirësimit të jetës suaj. Ndryshimi i madh do të vijë përsëri në katër vitet që do të vijnë dhe ju do të jeni epiqendra e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale”.
Po me rastin e kësaj dite, 100 fëmijë jetim kanë festuar së bashku, në prani të presidentes së shoqatës “Fëmijët shqiptarë”, zonjës Liri Berisha, e cila kërkoi që të jepet më shumë dashuri për këta fëmijë.
Liri Berisha: “Mendoj se një ditë është shumë pak për të menduar, për t’ju kujtuar dhe për të punuar për ju. Mendoj se e gjithë shoqëria, të gjithë ne duhet të mendojmë më tepër duhet t’iu drejtojmë në rrugën e duhur. Duhet të punojmë për integrimin sa më të shpejt dhe sa më të drejtë, sa më të butë për këtë shoqëri, pasi kjo është pjesa më e brishtë e shoqërisë tonë dhe integrimi i tyre flet për një shoqëri të kulturuar”.
Për fëmijët jetim të pranishëm u shpërndanë edhe dhurata.
Ilir Meta: “Kemi takuar fëmijë jetimë apo jetimë, të cilët ishin në moshë madhore, pa punë, pas asnjë mundësi për të përballuar jetën dhe që s’ishin në gjendje as të paguanin për energjinë elektrike. Unë dua t’ju siguroj se ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur dhe mundësitë janë të pafund kur ekziston vullneti i shtetit dhe i qeverisë për të lehtësuar jetën tuaj, për të krijuar të gjitha mundësitë për t’u arsimuar dhe për t’u shkolluar në mënyrë të denjë për të patur mundësi për të punuar dhe njëkohësisht për strehim.”/tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami