Dita e sotme është e trishtë për botën e letërsisë. Poeti Skënder Rusi është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare.
Lajmi është njoftuar përmes faqes zyrtare të bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë.
Skënder Rusi lindi në vitin 1952 në Korçë. Karriera e tij mbi 50-vjeçare përmbledh 25 vëllime me poezi që janë një krijimtari e çmuar për letërsinë shqipe. Një pjesë e madhe e veprave i janë kushtuar dashurisë dhe qytetit të Korçës.
Vlerësimet për Skënder Rusin kanë qenë të shumta, ndërsa titulli më i fundit që i është atribuuar poetit ishte në vitin 2021 kur mori “Qytetar Nderi i Korçës”.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të lirikut të njohur korçar dhe drejtorit të Bibliotekës së Korçës, Skënder Rusi.
Kjo humbje e rëndë na lë pa fjalë, duke marrë një personalitet të shquar të kulturës dhe letërsisë sonë.
Skënder Rusi do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të pashoq në fushën e poezisë dhe përkushtimin e tij të palodhur si drejtor i Qendrës së Artit dhe Kulturës dhe Bibliotekës Publike “Thimi Mitko”.
Përmes fjalës të tij poetike dhe punës së tij të palodhur, ai na ka lënë një trashëgimi të pasur të artit të fjalës që do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.
I shprehim familjes, miqve dhe të gjithë atyre që patën nderin ta njihnin dhe ta vlerësonin, ngushëllimet tona të sinqerta.
Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në zemrat dhe mendjet tona”.
Homazhet për Skënder Rusin do të mbahen ditën e shtunë në orën 12:00 te teatri “Andon Zako Çajupi”. Përcjellja për në banesën e fundit do të jetë në orën 14:00./tvklan.al