Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, po mbahen ceremonitë e homazheve dhe më vonë edhe mbledhja e komemoracionit me rastin e vdekjes së Fadil Vokrrit, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Fadil Vokrri, 57-vjeçar, ndërroi jetë të shtunën në mëngjes, pas një sulmi në zemër. Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se Vokrri do të varroset në varrezat në Prishtinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të dielën ditë zie, në nderim të të ndjerit Fadil Vokrrit, dhe flamujt në të gjitha institucionet e Kosovës janë ulur në gjysmë shtizë.

“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, me vendim të presidentit Thaçi, të dielën flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Fadil Vokrri, ishte figura qendrore e futbollit të Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të tij. Sipas njoftimeve nga Qeveria e Kosovës para ceremonisë së varrimit, nga ora 12:00 e deri në orën 13:00 në Kuvendin e Kosovës mbahen homazhe, kurse në orën 14:00, po në Kuvend do të mbajë një mbledhje komemoracioni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas lajmit për vdekjen e Vokrrit, ka thënë Vokrri ishte ylli më i ndritur i sportit dhe jo vetëm sportit tonë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se Vokrri ka qenë frymëzim për shumë breza të sportistëve.

Kryeparlamentari, Kadri Veseli ka thënë se me vdekjen e Vokrrit, sporti i Kosovës ka humbur shumë. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se stadiumi i Prishtinës “me nderë do të mbajë emrin” e Fadil Vokrrit.

Kush ishte Fadil Vokrri?

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola.

Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola.

Vokrri ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984,derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi. Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti në edicionet 1990-1992.Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe e arriti që nën udhëheqjen e tij, FFK të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA.

Vokrri ka lënë pas vetes bashkëshorten dhe tre fëmijë.

/Radio Evropa e Lirë