Votimi historik në Parlamentin e Maqedonisë që vulosi emrin e ri të shtetit, duket se po përshpejton divorcin brenda qeverisë greke. “Kathimerini” raporton se ditën e dielë është parashikuar të mbahet takimi i shumëpritur mes Kryeministrit Alexis Tsipras dhe partnerit të tij në koalicion Panos Kamenos, i cili është njëkohësisht edhe ministër i Mbrojtjes.

Takimi mes tyre diskutohej gjatë gjithë këtyre ditëve. Së fundmi, anëtarë të partisë “Grekët e Pavarur” të Panos Kamenos, thanë se takimi mes këtij të fundit dhe Tsipras do të ndodhë të hënën. Por, duket se është vendosur përfundimisht që të ndodhë mëngjesin e së dielës. Rreth orës 10:30, ministri Kamenos pritet të shkojë në Kryeministri për të biseduar kokë më kokë me kreun e qeverisë greke.

Panos Kamenos ka shprehur vazhdimisht kundërshtitë për marrëveshjen e Prespës të arritur mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin e kësaj të fundit. Por votimi i së premtes në Parlamentin maqedonas që i hapi rrugë zyrtarisht marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, duket se do të shënojë edhe daljen nga koalicioni të partisë “Grekët e Pavarur” të Kamenos.

“Kathimerni”, duke iu referuar burimeve, raporton se Tsipras dhe Kamenos pritet të kenë një “divorc” paqësor. Megjithatë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë konkretisht në takimin mes tyre.

Tani është radha e Parlamentit të Greqisë për të votuar Marrëveshjen e Prespës. Në një intervistë të mëparshme për mediat greke, Kryeministri Tsipras tha se do të kërkojë votëbesim nga Parlamenti nëse partneri i tij në koalicion Panos Kamenos nuk e mbështet me vota. Nëse nuk do të marrë shumicën prej 151 deputetësh, atëherë Tsipras deklaroi se do të shpallë zgjedhje të parakohshme.

/tvklan.al