Që prej vitit 2014 Klodian Murati është kthyer nga emigrimi për të qëndruan në Shqipëri ku dhe ushtron profesionin e tij si instruktor i yoga-s. Në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan ai kujton vitet kur u detyrua që të merrte rrugët drejt emigrimit, në atë kohë ai ka qenë vetëm një adoleshent.

Për Klodianin nuk ka qenë varfëria arsyeja e largimit të tij nga vendi, por krejt diçka tjetër. Trysnia e një kohe të trazuar dhe pesha e përgjegjësisë për të qenë gjatë gjithë kohës në mbrojtje të 4 motrave të tij, ishte pikërisht fillesa e gjithçkaje.

Klodian Murati: Unë them gjithmonë që çdo gjë që ndodh në jetën tonë, ndodh për të mirën tonë. Ajo çka më ndodhi mua në vitin ’98 nuk ishte e mirë, por ja që ndodhi për të mirën time, që unë të ikja nga vendi ku jam sot, sepse mbase mund të isha lapidar diku në ndonjë vend sepse ishin vitet e tilla. Sepse katër motra në shtëpi, dy nga vëllezërit më të mëdhenj ishin jashtë. Në ato vite femrat që shkonin nëpër qytete të tjera i rrëmbenin, sepse ishin vite të egra. Në atë kohë unë duhet të lija një njollë, një shenjë një imazh tek njerëzit që “motra e Klodit, mos e shiko”.

Katerina Trungu: Pra ti kishe përgjegjësinë e mbrojtjes së familjes?

Klodian Murati: Duhej me patjetër. Unë me atë timen thoja që “nuk bëhet fjalë që dikush ta shikojë apo t’i thotë një fjalë motrës”, kam qenë shumë protektiv kundrejt gjinisë femërore dhe vajzat kishin shumë dëshirë të rrinin me mua sepse ishin pak më të sigurta. Tek motrat e njëjta gjë, por ishte akoma më egër. Nëse ndonjë motër do të kishte dëshirën për të veshur një fund sipër gjurit nuk kishte shans. Ishte koha, sepse duke qenë se unë rrija me meshkuj dhe kur ti shikon se çfarë thonë meshkujt për femrat që dalin me funde të tilla ti automatikisht thua “nuk dua që e njëjta gjë të thuhet dhe për motrat e mia.

Katerina Trungu: Kjo ka qenë arsyeja se përse u largove?

Klodian Murati: Arsyeja ishte sepse pata një përplasje me një grup nga një qytet tjetër, gjithmonë në lidhje me motrat dhe shyqyr që nuk mora jetë njerëzish dhe kjo më bëri që unë bashkë me një shokun tim të iknim sepse filluan të na kërkonin./tvklan.al