Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny besonte se do të vdiste në burg, zbulojnë paragrafët e librit të tij të kujtimeve.

The New Yorker dhe the Times kanë publikuar disa pjesë të librit të tij, “Patriot” që do të publikohet më 22 tetor.

Botuesi Alfred A Knopf njoftoi në muajin prill se do të dilte ky libër që e quajti “letra e fundit e Navalny për botën”. Sipas tij, Navalny nisi të punonte për librin ndërsa shërohej nga helmimi dhe vijoi ta shkruante në Rusi, brenda e jashtë burgut.

Më 22 mars 2022, ai shkroi: “Do ta kaloj gjithë jetën time në burg dhe do të vdes këtu. Nuk do të kem asnjë kujt t’i them lamtumirë… Të gjitha përvjetoret do të festohen pa mua. Unë nuk do t’i shoh kurrë nipërit e mi”.

Edhe pse e kishte pranuar fatin e tij, libri i Navalny tregon një qëndrim të palëkundur ndaj korruptimit të zyrtarëve në Rusi.

Në të njëjtën datë, ai shkroi: “Qasja ime ndaj situatës s’është aspak me pasivitet të zgjatur. Jam gati të bëj gjithçka mundem prej këtu për t’i dhënë fund autoritarizmit (ose, më modestisht, të ndihmoj për t’i dhënë fund)”.

Në një paragraf që daton më 17 janar 2024, një muaj para vdekjes së tij, Navalny i përgjigjet pyetjes së të burgosurve të tjerë dhe gardianëve: “Pse u ktheve?’

“Nuk dua të heq dorë nga vendi im apo ta tradhtoj. Nëse bindjet e tua peshojnë diçka, duhet të jesh i  përgatitur t’i mbrosh dhe të sakrifikosh nëse është e nevojshme”.

Veç izolimit dhe sfidave të burgosjes, në shkrimet e Navalny vihet re humori. Ai kujton një bast me avokatët e tij për kohëzgjatjen e një dënimi të ri, “Olga mendoi 11 deri në 15 vjet. Vadim i habiti të gjithë me parashikimin e tij të saktësisht 12 viteve dhe 6 muajve. Unë mendova 7-8 vjet dhe fitova”.

Gjithashtu ai mahnitej pas absurditetit kur e detyronin të ulej për “orë të tëra në një stol poshtë një portreti të Putinit” si “aktivitet disiplinar”. Ai përshkruante problemin e grevës së urisë dhe që kishte ftohtë gjithë kohën, duke shtuar: “S’kam ende muskuj barku”.

Yulia Navalnya, bashkëshortja e tij, tha në një deklaratë të publikuar në prill se libri nuk është vetëm testament “i jetës së Alexei, por edhe i përkushtimit të tij të patundur në luftën kundër diktaturës”, duke shtuar se historia e tij do të “frymëzojë të tjerët për të mbrojtur të drejtën dhe që kurrë mos të humbasin vlerat që kanë rëndësi”.

Libri është përkthyer në 11 gjuhë dhe do të botohet në rusisht./tvklan.al