Emisioni “Rudina” në Tv Klan këtë të shtunë i ktheu të gjithë të ftuarit në nostalgjinë e fëmijërisë dhe vendlindjes. E duke folur rreth kësaj Valer Kolnika tregon lidhjen e fortë që ai ke me familjen dhe vendin e tij të lindjes, që është Malësia e Madhe.

Ai tregon se humbja e vëllait bëri që ai si djali i vetëm i familjes të kujdesej për prindërit dhe të qëndronte në shtëpinë e të parëve të tij.

“Vendosa të mos ikja asnjëherë nga ai vend,” është shprehur Valer Kolnika në studio.

Valer Kolnika: Duke qenë se unë vij nga vendi ku varet harta, nga skaji më verior i Shqipërisë, unë them që i kam marrë më të mirë dhe them se është vendi më i bukur që ekziston për mua, ashti si për çdokënd vendlindja është vendi më i bukur. Mendoj se në fis jam i vetmi që kam mbetur nga gjithë të rinjtë, sepse të gjithë kanë emigruar.

Rudina Magjistari: Ti në fakt shtëpinë e ke aty dhe familjen?

Valer Kolnika: Kam shtëpinë e vjetër, kullën e vjetër të fisit dhe kam zgjedhur që i vogël që të qëndroj aty. Sepse mendoj se si ngjarjet e bukura, ato që na mbajnë ngushtë të lidhura me vendlindjen dhe ngjarjet e hidhura janë ato që skalitin mirë personalitetin tonë, ajo se çfarë na ndodh. Në fakt që në moshën 11-vjeçare ose 12-vjeçare, pasi humba vëllain dhe mbeta djalë i vetëm vendosa që të mos ikja më asnjëherë nga ai vend dhe që atëherë u lidha ngushtë me prindërit e mi dhe thashë që unë do të qëndroj gjithmonë në Malësinë e Madhe./tvklan.al