Edi Rama zgjodhi podcastin e tij, për të prezantuar të gjithë prurjet e reja në listën e garuesve zyrtarë për 11 Majin. Transmetimin maratonë, kryesocialisti e nisi me një ftesë për të gjithë shqiptarët.

“Për t’iu dhënë pasaportën e BE-së, na duhet jo thjesht një mandat i katërt, por dhe një mandat më i fortë se të treja mandatet e derisotme. Prandaj, kush e do pasaportën e BE-së ka vetëm një mundësi dhe vetëm një rrugë”, tha Edi Rama.   

Në listën e gjatë të socialistëve, kandidatët vinin nga të gjitha fushat, me apo pa eksperiencë në politikë.

“Jam kthyer për të dhënë kontributin tim si psikologe në Lushnjë, pra nuk mu nda shpirti nga Lushnja”, u shpreh kandidatja e PS-së në Fier, Kiduina Zaka.

Jo vetëm njerëz që e mbështesin pa kushte Partinë Socialiste, por dhe ata të cilët kanë rezerva, e për të cilët Edi Rama e di që do i sjellin jo pak dhimbje koke.

“Unë besoj fort që nëpërmjet kësaj mundësie që po m’jepet mu si e re janë thy shumë tabu që me i dhanë forcë rinisë për me guxue përpara” u shpreh kandidatja e PS-së në Shkodër, Marjana Koçeku.

13 minuta debat në telefon me Kryeministrin Rama e bënë kandidate për deputete. Ky është rasti i Erjona Ismailit, e cila tashmë synon të jetë përfaqësuese e Vlorës në Parlament.

“Mendoj që më shumë se sa m’ka dhënë për mua, të thuash gjithmonë në gjykimin tim, mosmerita e një angazhimi shumë të gjatë që mesa duket fatmirësisht duhet të ishte telefonata me ju për të vendosur ndonjë pikë mbi i”, tha kandidatja e PS-së në Vlorë, Erjona Ismajli.  

Pjesë e listës janë edhe figura që më herët janë angazhuar me PD. Zamira Sina tregon në podcast, se si përfundoi në listat e PS.

“Gjatë reflektimit tim zoti kryeministër, garën që pata për dekane më bëri jashtëzakonisht shumë përshtypje sepse prisja që Partia Socialiste të më luftonte, duke mbështetur kandidatura të tjera që kishte në atë garë dhe nga e majta. Jo vetëm që nuk më luftuan por dhe më uruan dhe falenderuan”, u shpreh kandidatja tjetër e PS-së për Vlorën, Zamira Sina.  

Në podkastin maratonë ishte i ftuar edhe zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Ceno Klosi, kandidat në listën e hapur të Fierit, që rrëfeu për karrierën në administratë për 24 vite.

“Dua të them që ka qenë një eksperiencë e larmishme. Unë jam i fushës së financës, kam mbaruar për finance në Universitetin e Tiranës dhe tashmë jemi me këtë detyrën për të kandiduar si deputet i qytetit tim”, u shpreh Klosi.

Larmishmëria e kandidatëve në listë, për Edi Ramën është karta më e fortë që Partia Socialiste ka, e që synon ti garantojë mandatin e katërt.

Janë 35 emra të përzgjedhur nga ‘Deputeti që Duam’ dhe Akademia Politike e PS dhe 7 prej tyre do dalin deputetë në zgjedhjet e 11 Majit, pasi ndodhen në listat e mbyllura.

Klan News