Mbetet në kërkim që nga e shtuna 45-vjeçari i cili dogji me benzinë gruan e tij në Korçë. Policia i ka shtrirë kontrollet në rrethinat e Korçës, por pa rezultat pasi nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të Bledar Trëndafilit.

Mësohet se ky i fundit është konsumues i alkoolit dhe përdorues i lëndëve narkotike ndërsa ka qenë person i dhunshëm.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës kur 45-vjeçari i kërkoi Melisa Trëndafilit që të dilte nga banesa që kishte marrë me qira.

Në momentin që flisnin me njëri-tjetrin, pak metra larg shtëpisë, Bledar Trëndafili i hodhi benzinë 31-vjeçares dhe i vuri flakën.

Ajo përfundoi në spital me djegie të rënda kryesisht në pjesën e fytyrës dhe qafës ndërsa pas trajtimit në QSUT mjekët thanë se gruaja është jashtë rrezikut për jetën.

Çifti prej 4 muajsh jetonin të ndarë ndërsa nga gjykata e Korçës thonë zyrtarisht se nuk ka patur kërkesë për zgjidhje martese. Ata janë prindër të dy fëmijëve të mitur.

Klan News