Gjykata e Korçës ka lënë në burg 45-vjeçarin Bledar Trëndafili i cili një muaj më parë dogji me benzinë ish-bashkëshorten e tij Melisa Trëndafili.

Trëndafili u njoh sot me masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar në mungesë nga Gykata e Korçës pas ngjarjes së rëndë. Prokuroria kërkoi që 45-vjeçari deri në përfundim të hetimeve të lihet në burg, kërkesë që u pranua nga Gjykata.

Gazetarja e Klan News, Daniela Zisi raporton se gjatë seancës autori është shprehur i penduar ku ka deklaruar se nuk donte ta bënte atë veprim. Ai ka thënë se ish-bashkëshortja nuk e lejonte të takonte fëmijët, ku ka hedhur akuza edhe për tradhëti. Gjatë seancës Trëndafili është paraqitur i rënduar psikologjikisht.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi kur 45-vjeçari i kërkoi Melisa Trëndafilit që të dilte nga banesa që kishte marrë me qira. Në momentin që flisnin me njëri-tjetrin, pak metra larg shtëpisë, Bledar Trëndafili i hodhi benzinë 31-vjeçares dhe i vuri flakën.

Ajo përfundoi në spital me djegie të rënda kryesisht në pjesën e fytyrës dhe qafës ndërsa pas trajtimit në QSUT mjekët thanë se gruaja është jashtë rrezikut për jetën. Çifti prej 4 muajsh jetonin të ndarë ndërsa nga gjykata e Korçës thonë zyrtarisht se nuk ka patur kërkesë për zgjidhje martese. Ata janë prindër të dy fëmijëve të mitur.

/tvklan.al