Diana e gjeti dashurinë e jetës së saj, Robertin kur ishte vetëm 14 vjeçe e ai 16. Ata vendosën të ndërtonin jetën bashkë, por në moshë fare të re, Diana mori një nga goditjet e para të jetës, humbjen e fëmijës ende në bark. Ajo tregon në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se edhe dy shtatzënitë  që pasuan prej të cilave ka dy djem, ishin mjaft të vështira.

Pas rënies së regjimit të diktaturës, motra i ofroi të shkonte në Itali  ku ajo e Roberti jetojnë edhe sot. Çifti ka qenë i lumtur së bashku, por Diana është gjetur disa herë në beteja të forta shëndetësore në të cilat Roberti s’e ka lënë kurrë vetëm.

Diana: Në 2005 kam bërë operacionin e parë me tumor. Kaloi një periudhë e vështirë, e mora veten, u bëra mirë. Atje, për fat, fillova të punoja. 

Ardit Gjebrea: Po bashkëshorti, Roberti?

Diana: Vete e vjen, Roberti më shumë rri këtu sesa atje. Por gjëja më e tmerrshme është se në 2013-ën m’u shfaq prapë tumori, akoma më keq se më përpara dhe tumor agresiv që doktorët nuk më dhanë shpresë.

Ardit Gjebrea: Kush të shërbente, kush të qëndronte pranë?

Diana: Në atë moment, Roberti rrinte pranë, madje ai flinte me legen, më falni për këtë shprehje, me legen te koka, unë flija në krevat, ai rrinte poshtë me legen. Bëra një kimioterapi që edhe një armiku nuk ia uroj këtë gjë. U futa në dhe dhe dola nga dheu! Aq e vështirë ishte sa u thosha fëmijëve nuk dua ta bëj më, dua të vdes! Çunat më thoshin “Çfarë? Ne të marrim me gjithë krevat e të çojmë në spital, ti do të jetosh për ne!”/tvklan.al