Lajme Arkiva 2003

Dënimi vetëm me 16 muaj burg i babait që vrau vajzën, shihet me sy kritik edhe nga ekspertë penalist. Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për Ruzhdi Qinamin në bazë të nenit 82 të Kodit Penal, i cili parashikon vrasjen në kushte të rënduara psikike dhe ka si dënim maksimal 8 vjet heqje lirie, madje po ky nen parashikon dënimin nga gjobë deri në 2 vjet heqje lire për vrasjen e foshnjës nga nëna menjëherë pas lindjes.

Masa e ulët e dënimit argumentohet nga ekspertët me faktin se pas lindjes nënat kalojnë në gjendje të thellë depresioni. Por rasti i Ruzhdi Qinamit duket se nuk mund të argumentohet me asnjë nga pikat e nenti 82 të këtij kodi. Eksperti penalist Doktor Shefki Bejko thotë së gjyqtarët ndjekin një politik të gabuar dënimi.

Doktor Shefki Bejko: Politika e ndëshkimit për sa i përket krimeve kundër personit lë për të dëshiruar. Në aspektin që kjo lloj politike nuk i përgjigjet politikave ndëshkuese, pra nuk i përgjigjet përhapjes jashtëzakonisht të madhe që kanë marrë aktualisht krimet kundër personit dhe në përgjithësi krimet brenda familjes. Pra neni 82 merr parasysh rrethana krejt të veçanta në të cilat ndodhet autori i vrasjes. Pra vrasja e kryer në tronditje të fortë psikike të çastit të shkaktuar nga dhuna apo fyerje e rëndë e viktimës.

Dy vitet e fundit vetëm në kryeqytet dhe në periferi të tij u shënuan disa ngjarje tragjike. Një burrë vrau në Priskë të vogël gruan dhe baxhanakun e tij në të njëjtën dhomë ku flinte vajza 2 vjeçare. Autori u dënua me dy vjet burg nga gjykata e të dy shkallëve.

 Zylfi Biba rreth 1 vit më parë ekzekutoi të ëmën dhe u dënua në bazë të njëjtit nen të Kodit Penal jo më shumë se 7 vjet burg. Në asnjë nga këto çështje prokuroria nuk ka formuluar akuzën e vrasjes me paramendim që parashikohet të dënohet deri në burgim të përjetshëm.

A do të thotë kjo se duhet ndryshuar neni tjetër që parashikon ndëshkim të vogël për vrasjen? Zoti Bejko thotë se një nen i tillë është i domosdoshëm, por ai është kundër abuzimit me të nga ana e drejtësisë duke gjykuar në bazë të tij vepra të rënda që nuk mund të justifikohen me tronditjen e fortë psikike.

Doktor Shefki Bejko: Mund të ketë abuzime në praktikë? Mund të ketë. Unë nuk marrë përsipër reformacionet që mund të pësojë praktika gjyqësore nga gjyqtare të ndryshëm, por realisht ky formulim është më se i plotë dhe nuk ka nevojë për ndryshime në kodin penal./tvklan.al