Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Përvjetorin e 64 të lindjes e festoi në Shqipëri, në atdhe, mes shumë miqsh në kalanë princërore të Petrelës. Pikërisht aty, ajo shprehu atë çka e kishte ndjerë qysh kur shkeli në tokën shqiptare.

“Më keni prekur me dashurinë që tregoni për mua. Dëshirojë që në çdo familje shqiptare të ketë paqe dhe dashuri, pasi familja është vazhdimësia e jetës të çdo kombi”.

Mund ta jepte këtë mesazh edhe nga kalaja e Krujës apo e Prezës, që i kishte mjaft për zemër t’i vizitonte. Këtë mesazh i jep edhe këtij çifti. Nusja dhe dhëndri marrin bekimet de urimet mbretërore, në ditën e dasmës së tyre. Ndoshta ky çift e bënë të përfytyrojë Nënë Mbretëreshë Geraldin, kur ishte nuse, në ditën e dasmës së saj, në atë pranverë të ’38. Ndoshta kujton ditën e dasmës së saj me Lekën e Parë.

Pothuajse 30 vjet më parë në Tetor 1975, Suzana, vajza Alan Robert Cullen–Ward dhe Phylis Dorothea Murray Prior me lidhje gjinore nga ana e nënës me shumë familje mbretërore, do të bashkonte fatin e saj me Lekën e Parë, birin e mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu.

E lindur në Sidnei të Australisë, ajo studioi fillimisht në prestiberian “Ladies College”, kolegj tepër i njohur për nivelin e kulturës që jep dhe që frekuentohet nga vajza të familjeve të mëdha. Për vazhdimin e studimeve të larta, mbretëresha e ardhshme zgjodhi Akademinë e Arteve në Sidnei, ku më pas u kthye si pedagoge.

“Unë jam bashkë me mbretin Leka për Shqipërinë time”, do të thoshte në shumë raste me krenari Susane. Mjaftuan pak kohë mes shqiptarëve që të vërtetohej ajo shprehje e thënë disa herë nga Susane. E gjithë jeta e Nënës Mbretëreshë Geraldin, ka qenë një model për mua.

A thua kjo foshnje, si një engjëll do të ketë rastin të mësojë, se kur ishte e braktisur nga prindërit e ka përkëdhelur dora e Susanës? Do të mësojë se ka marrë një ngrohtësi, një buzëqeshje prej nëne nga një fisnike? Ndërsa këta jetim të rritur, sigurisht që një ditë do të mund të thonë me krenari, jam takuar me mbretëreshën Susane.

E shkurtër koha e qëndrimit të saj fizik në Shqipëri, por dha shumë dashuri e dhimbsuri dhe mori shumë mirënjohje. Një puthje dore nga një plak i braktisur në azilin e pleqve, një urim që del i sinqertë për një bamirëse. Krishtlindjet dhe Vitit i Ri, do të festohen edhe sivjet. Dhjetëra familje të Bathores së lënë pas dore e urojnë për kujdesin që tregon për to, duke ua lehtësuar jetesën në çaste të vështira. Kërkon t’u japë një shpresë, humbja e shpresës shkatërron familjen, shkatërron vendin është shprehur ajo.

Mbretëresha Susane, me një kulturë të thellë në fushën e arteve, historisë së tyre dhe arkitekturës, ishte një përkrahëse e zjarrtë e talenteve në këto fusha në Shqipëri. Ne kemi në Shqipëri talente të mëdha, që sot luajnë edhe në skenat më të njohura të botës muzikore. Kjo është shumë e bukur, sepse është vazhdimi i traditave të mrekullueshme që ka vendi ynë ën folklor e në kulturë. Ndihma jonë duhet të shkojë drejtpërdrejt për artistët dhe për shkrimtarët shqiptarë, është shprehur ajo. Një admiruese dhe përkrahëse e zjarrtë e vlerave historike të kombit tonë.

Dy gra të huaja të lindura në skaje të kundërta të globit, që kanë pohuar krenarisht, “Atdheu ynë është Shqipëria”, njëra fisnike nga Hungaria, që qëndroi gjithsej vetë gati 2 vjet në Shqipëri, Nëna Mbretëreshë Geraldin u bë modeli për nusen e birit të saj Lekës së Parë. Modeli im ka qenë qysh në fillim Nëna Mbretëreshë Geraldina, figura e saj është e papërsëritshme në dashurinë që kishte për popullin shqiptar, me kurajën e saj përkrah mbretit Zog dhe me edukimin atdhetar të birit të saj, pohon Susan. Shqipëria i bashkoi në një fat të përbashkët, në dashurinë për shqiptarët, i bashkoi në një fat të përbashkët, të prehen përjetësisht në tokën shqiptare, që e quanin krenarisht Atdhe./tvklan.al