44-vjeçari akuzohet për trafik heroine dhe kokaine
Pas më shumë se 2 vitesh gjykim, Domart Konjari është dënuar me 15 vite heqje lirie nga gjykata kundër krimit dhe korrupsionit. Ai është dënuar në mungesë, pasi është ende në kërkim nga policia prej 2016-ës.
Edhe prokuroria kërkoi të njëjtën masë dënimi për Konjarin duke e akuzuar, si kreun e një organizate kriminale që trafikonte kokainë dhe heroinë në Francë.
44-vjeçari u arrestua në Nëntor të 2015 në Pikën Doganore të Kapshticës teksa udhëtonte me një pasaportë false, por pas verifikimeve rezultoi se ishte në kërkim nga autoritetet franceze dhe akuzohej se drejtonte një organizatë kriminale që trafikonte kokainë dhe heroinë.
Por pas 5 muajsh, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje dhe prej atij momenti ai u arratis dhe vazhdon ende t’i fshihet drejtësisë.
Tv Klan