Prokuroria e Tiranës kërkon sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme të një personi të dënuar jashtë vendit për trafik lëndësh narkotike. Organi i akuzës thotë se ka konfirmuar se Elton Arkaxhiu ka qenë dënuar në Francë ndërkohë që në vitin 2011 ka qenë i proceduar për pastrim parash. Për këtë arsye në sitë kanë kaluar pasuritë e tij.

“Zyra e Interpolit ka konfirmuar se shtetasi Elton Arkaxhiu, nga verifikimet e kryera nga Interpol Francë, rezulton se në atë periudhë ka qenë subjekt i procedurave të pjesëmarrjes në organizatë kriminale me subjekt kryesisht të trafikut ndërkombëtar të drogës, përdorimit te produkteve narkotike, importimit të mallrave kontrabandë dhe mallrave që paraqesin rrezik për jetën, etj”, njoftoi Prokuroria e Tiranës.

Organi i akuzës thotë se nga hetimi u arrit në përfundimin se ka mospërputhshmëri të burimit të financimit (të ardhurave + huamarrje) me pasuritë e dokumentuara të Arkaxhiut.

Paraprakisht nga informacionet e siguruara në rrugë operative janë identifikuar pasuritë e paluajtshme, blerja e të cilave nuk justifikohet me të ardhurat e këtij shtetasi dhe të familjarëve të tij deri në vitin 2020 dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Bëhet fjalë për një bar-kafe dhe një biznes, të dyja në rrugën “Besim Imami”. Më konkretisht, prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:

1 – Pasuri e llojit truall, me sip.71.52m2 dhe ndërtesë 37.52m2 në Tiranë;

2 – Pasurinë njësi shërbimi 108m2 me vendndodhje Rr. Besim Imami; dhe

3 – Pasurinë njësi shërbimi 63m2 në Rr. Besim Imami./tvklan.al