Presidenti i FSHF Armand Duka priti në “Shtëpinë e Futbollit” kreun e Federatës Zvicerane, Dominik Blank, i cili zhvilloi një vizitë dyditore në Shqipëri.
Synimi ishte shkëmbimi i eksperiencave dhe diskutimi i projekteve të ndryshme mes dy institucioneve.
Kreu i Federatës Zvicerane pa nga afër terrenet stërvitore, qendrën e stërvitjes për ekipin kombëtar, ambientet e brendshme të administratës dhe muzeun, ku pati mundësinë të njihej me historinë e futbollit shqiptar.
Federata Zvicerane ka në program ndërtimin e një qendre sportive, e kjo ishte arsyeja që Blank ishte i interesuar për të parë me detaje selinë kuqezi.
Kreu i federatës zvicerane të futbollit u shpreh i befasuar veçanërisht për projektin “Uniforma ime”, ku Federata ofron falas materiale stërvitore për të rinjtë që bëhen pjesë e futbollit.
“Jam mjaft i impresionuar nga ajo që kam parë këtu, një federatë me zhvillim të madh, me mjete shumë moderne për të zhvilluar futbollin në Shqipëri. Kam parë gjithçka. Jam i impresionuar veçanërisht për faktin se si Federata ofron falas për futbollistët e rinj set të plotë materialesh bazë për t’u stërvitur. Kjo është hera e parë që dëgjoj për diçka të tillë dhe dua t’ju them urime”.
Kreu i qeverisë së futbollit zviceran kujtoi edhe ndeshjen Shqipëri – Zvicër, e luajtur më 11 Qershor 2016 në finalet e “Euro 2016” në Lens të Francës.
“Një ndeshje fantastike në Lens të Francës mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Nuk duhet të harrojmë se kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Zvicër. Në atë ndeshje në fushë me Zvicrën kishte lojtarë me origjinë shqiptare. Ndeshja ishte e një niveli shumë të lartë, kishte edhe shumë emocione”.
Sipas Blank, kjo është miqësia që futbolli i ofroi të dy popujve në atë kohë.
Për kreun e Federatës Zvicerane, kjo është edhe historia më interesante që ka me futbollin shqiptar.
Klan News