Në fillim republikanët në ShBA u zemëruan me presidentin ukrainas Volodymir Zelensky pasi u shfaq përkrah një guvernatori demokrat në një fabrikë municionesh dhe anuluan takimet me të. Më pas situata u normalizua dhe ish-presidenti Donald Trump e takoi Zelenskyn në Nju Jork. Që në fillim ish-presidenti tha se ai ka “një marrëdhënie shumë të mirë” me presidentin rus Vladimir Putin.
Duke folur para gazetarëve në Trump Tower, Zelenskiy tha se dëshiron të diskutojë me Trump “planin e tij të fitores” për Ukrainën.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë, por gjithashtu kam një marrëdhënie shumë të mirë dhe me Presidentin Putin. Mendoj se nëse fitojmë, do ta zgjidhim shumë shpejt, këtë çështje. Por ju e dini duhen dy vetë për të kërcyer një tango. Mendoj se fakti që jemi sot bashkë është një shenjë shumë e mirë dhe nëse do të fitojmë zgjedhjet mendoj se përpara se të marr mandatin e presidentit më 20 Janar, mund të bëjmë diçka që është e mirë për të dyja palët. Mendoj se ka ardhur koha.”
Takimi i Trumpit me Zelenskiyn vjen pasi kandidati republikan e kritikoi liderin ukrainas dhe vuri në dyshim nëse aleati i SHBA-së mund ta fitojë luftën me Rusinë.
Zelenskiy, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u takua më herët të enjten me presidentin demokrat Joe Biden dhe nënpresidentin Kamala Harris, gjithashtu kandidaten demokrate për president në zgjedhjet e 5 Nëntorit.
Gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë të Zelenskiyt, presidenti Joe Biden njoftoi një pako të re ndihme ushtarake prej 8 miliardë Dollarësh.”Ne po e bëjmë të qartë se qëndrojmë me Ukrainën tani dhe në të ardhmen,” u tha Biden gazetarëve.
Nënpresidentja Kamala Harris premtoi mbështetjen e saj për Ukrainën dhe kërkoi që Amerika t’u bëjë ballë “agresorëve”. Duke e vënë në shënjestër rivalin Donald Trump pa e përmendur drejtpërdrejt, ajo tha se ka disa njerëz që po kërkojnë nga Ukraina të pranojë neutralitetin dhe të heqë dorë nga marrëveshjet e sigurisë me kombet e tjera.
“Ato nuk janë propozime për paqe. Përkundrazi, janë propozime për dorëzim,” shton ajo.
Gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë presidenti Zelensky ka paraqitur edhe planin e tij të fitores.
Klan News