Vendet më të fuqishme ekonomike dhe institucionet ndërkombëtare financiare janë mbledhur në Bruksel për të kontribuuar në rindërtimin dhe zhvillimin e shtetit më të ri të rajonit.

Konferenca e donatorëve synon të mbushë boshllëqet e mëdha të nevojave financiare të paraqitura nga qeveria e Kosovës me më shumë se 1 miliard euro për vitet 2009-2011.

Bashkimi Evropian është i gatshëm të ofrojë 500 milion euro në përfitim të qytetarëve të Kosovës.

Ky fond, sipas Rehn, parashikohet të shkojë për arritjen e synimeve të përcaktuara tashëm, por zbatimi është çështje tjetër. Ne presim të shohim rezultate konkrete dhe për këtë arsye gjithçka do të varet nga qytetarët dhe institucionet kosovare, u shpreh Rehn, që të kapim pritshmëritë e vlerësuara në sytë e komunitetit ndërkombëtar.

Rehn shpjegoi se ky fond i komisionit evropian do të ndahet në dy pjesë, suporti makrofinanciar për buxhetin që shpenzohet nga autoritetet e Kosovës, ndaj është e rëndësishme që qeveria dhe administrata e Kosovës të garantojnë se çdo euro do të shpenzohet me efikasitet për energjinë, edukimin apo zhvillimin social, sipas tij.

Ndërkohë një pjesë e madhe e parave të BE-së do të shpenzohen nga Agjencia Evropiane për Rindërtim në fillim dhe më pas nga delegacioni i komisionit evropian në Prishtinë.

Në këtë kuadër Rehn i bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së, të pranishme në konferencë, që të kontribuojnë dhe me fonde të veçanta.

Hashim Thaçi: “Unë dua të rikonfirmoj zotimin dhe përkushtimin tim dhe qeverisja e Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës se asnjë donacion nuk do shkojë në drejtim të gabuar.”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u zotua për tolerancë zero ndaj fenomeneve negative dhe për respektim të shtetit ligjor.

Arta Tozaj: “Konferenca e donatorëve shënon një ditë të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por dhe për Bashkimin Evropian, siç u shpreh komisionieri evropian për zgjerimin, Olli Rehn. Kjo pasi Bashkimi Evropian vërtetoi se është mbështetësi kryesor financiar i qeverisë së Kosovës me 500 milion euro, i ndjekur nga Shtetet e Bashkuara me 400 milion dollarë dhe më pas edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë kontribute financiare në mënyrë të veçantë. Gjermania me 100 milion euro, e ndjekur nga Anglia me 30 milion euro, Bullgaria 1 milion euro dhe kështu me radhë të gjitha vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian kanë kontribuar financiarisht për zhvillimin ekonomiko-social të vendit”.

Kryeministri Thaçi firmosi në Bruksel dhe aplikimin për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar të Kosovës./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj