Njëmbëdhjetë vite ka zgjatur pritja e Borussia Dortmund për të luajtur sërish në finalen e Champions League. Verdhezinjtë rikthehet sërish në finalen e Wembley, aty ku kanë kujtime të këqija nga hera e fundit, ku u sfiduan me Bayern Munich dhe dështuan për të ngritur lart trofeun.
Tashmë për herë të tretë në fazën finale të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit Europian, Dortmund synon të fitojë titullin e dytë. Mats Humels vulosi kualifikimin me shifrat e përgjithshme 2-0 ndaj Pari Së Zhërme. Mbrojtësi u bë lojtari gjerman më i vjetër, 35-vjeç e 143 ditë që shënon një gol në ndeshjet me eliminim direkt të këtij kompeticioni.
“Tingëllon shumë mirë, pak surreale, por seriozisht ia dolëm. Besoj se ne e merituam të arrijmë në finale, sigurisht edhe me pak fat. Është një arritje e bukur për klubin, krenar për ekipin tim, stafin dhe të gjithë tifozët që nuk u kursyen aspak duke na mbështetur. Rikthyem besimin për ta mbajtur të gjallë ëndrrën. Tani do të shkojmë të gjithë së bashku në Londër”
Në krahun tjetër, trajneri i francezëve, Luis Enrique vajton rastet e shumta të humbura nga futbollistët e tij.
“Është një ndjenjë e trishtueshme, pasi nuk arritëm qëllimin tonë. Nuk ishim inferior, pasi në dy ndeshje goditëm 6 herë shtyllën. Futbolli nuk është një sport gjithmonë i drejtë. Duhet të përgëzojmë kundërshtarin tonë, sepse luajti dy ndeshje të jashtëzakonshme. Ne duhet të pranojmë humbjen. Kjo është jeta!”
Finalja e Champions League luhet të shtunën e 1 Qershorit në stadiumin ikonik “Uembli” në Londër.
Klan News