Milani do të luajë një ndeshje vendimtare në Champions League, siç është ajo ndaj spanjollëve të Girona-s. Kuqezinjtë synojnë fitoren në shtëpi, për të synuar më pas kualifikimin.

Në konferencën për shtyp, trajneri Sergio Conceicao deklaroi se qëllimi është për të avancuar më tej.

Sipas tij, stafi i ri synon të rikthejë Milanin aty ku e meriton, ndonëse pranoi se tani po përballen me vështirësi të mëdha.

Conceicao ndër të tjera kërkoi edhe mbështetjen e tifozëve, sepse tha se janë shtysë për një rezultat pozitiv. Tekniku portugez, referuar momentit theksoi se është përballur me situata edhe më të këqija.

“Unë mendoj se të gjitha ndeshjet janë ndryshe. Është e vërtetë që të jesh në kompeticionin më të mirë të klubeve në botë është gjithmonë një motiv i madh. Skuadrat e mëdha si Milani duhet të punojnë çdo vit për të qenë prezent.

Në kampionat po punojmë që të ngjitemi në renditje. Do të përpiqemi ta dërgojë Milanin në raundin tjetër të Champions League. Histori është shumë e rëndësishme për të ecur përpara.

Këtë javë kishim pak kohë për tu përgatitur. Djemtë ishin të përqendruar ndaj atyre që ne kemi thënë. E thashë pas Juventusit që është punë në nivelin mendor. Unë jam trajneri dhe duhet ta zgjidh këtë. Lojtarët kanë qenë të motivuar çdo ditë për të punuar dhe për të pasur evolucionin që ne kërkojmë. Duam të bëjmë mirë në të gjitha garat, jo vetëm në Champions League.

Kërkojmë vazhdimësi. Edhe djemtë janë të vetëdijshëm se çfarë duhet bërë. Ne duhet të shikojmë njëri-tjetrin në sy, të punojmë në fushë dhe të besojmë në atë që bëjmë. Jam përballur edhe me situata më të këqija, por ndodh. Lojtarët janë të vetëdijshëm se ka shumë punë për të bërë dhe për tu përmirësuar.

Për këtë ndeshje kemi vetëm 12-13 lojtarë nga ekipi i parë. Tre portierë dhe tre të rinj. Kam një mesazh edhe për tifozët. Ata janë shpirti i skuadrës. Jemi në moment të vështirë dhe na duhet mbështetja e tyre. Janë lojtari i 12-të. Pa ata, klubi nuk ekziston. Ne kemi nevojë për ta.

Pulisic do të jetë me ne. Kemi stërvitjen e fundit, të shohim si do të jetë gjendja e tij. Nuk dua ta rrezikoj dhe ta humbas për dy muaj. Ai mund të jetë në stol, por nuk është mirë ta rrezikosh.

Problemi? Është trajneri ai që duhet të shpjegojë atë që dëshiron, jam unë që duhet të bëj diçka më shumë dhe kjo është arsyeja pse jam këtu”, deklaroi Conceicao.

Ndeshja Milan-Girona, do të luhet të Mërkurën, duke nisur nga ora 21:00 në stadiumin “San Siro”. /tvklan.al