Lajme Arkiva – TV Klan 2003
“Jemi të pafajshëm”, kanë qenë fjalët që kanë përsëritur pothuajse gjatë çdo seance të procesit “Kokaina”, të pandehurit Durda, Përballa, Koçiu, Nanaj, Hysi dhe Gjonaj. Durda e Përballa u arrestuan mesnatën e 2 Shkurtit të vitit 2001 në Tiranë dhe po atë natë, prokuroria i përgjoi përmes aparaturave, duke vënë në dorë një provë që e konsideruan të fortë kundër tyre.
Në ditët në vijim u prangosën të pandehurit e tjerë, ndërsa ish-oficeri i policisë gjyqësore Sokol Koçiu, u shpall në kërkim nga policia. Për rreth dy muaj ai bëri policinë të dështojë disa herë në aksionin për kapjen e tij. Urdhër-arrestet për të pandehurit dolën nga antimafia italiane e Lecces, ndërsa çështja hetohej nga numri 2 i saj Giuseppe Capoccia dhe zv/prokurori i antimafias kombëtare italiane Mandoi.
Rreth 10 mijë përgjime ambientale dhe telefonike, fatura që tregonin transferta me shuma të mëdha parash, dy anije të bllokuara në Spanjë, Venezuelë etj, janë disa nga provat që sipas akuzës vërtetonin, se organizata ndërkombëtare, po përgatitej të kryente trafikun e një sasie gjigande prej 6 ton kokainë, sasi e cila do të kalonte edhe nga Shqipëria.
Për herë të parë dolën në skenë shtetas shqiptarë që rezultonin drejtues të organizatave mjaft të fuqishme të drogës, ndërkohë që një zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme dhe i njohur si mik i ish-Prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi, u akuzua si ndihmësi kryesor i organizatës. Por Koçiu, jo vetëm që u deklarua i pafajshëm, por një periudhë të gjatë kohe, ai mori përsipër të bëjë mbrojtjen e të pandehurve të tjerë. Koçiu kundërshtoi marrjen si prova të dëshmisë së Cestarit e Triana Mateosit dhe jo rrallë ironizoi dhe fyeu përfaqësuesit e akuzës, si dhe trupin gjykues.
Pas një periudhe të gjatë zvarritje të procesit, prokurorët kërkuan dorëheqjen e kryetarit të seancës Martin Deda, i cili deklaroi më pas, se do të tërhiqej përfundimisht edhe si anëtar i treshes gjykuese. Kjo ndodhi pak ditë edhe pasi gjykata siguroi në Gjykatën e Apelit të Romës, dëshminë e italianes Cestari. Kryetar i trupit gjykues u caktua njëri prej anëtarëve të tij Gjin Gjoni. Ai pati debatet më të shpeshta dhe më të ashpra me të pandehurin Koçiu. Thuajse të gjitha seancat, u shoqëruan me replika dhe tension, me kërkesa të vazhdueshme të Sokol Koçiut, për përjashtimin e Gjonit nga gjykimi dhe deri në përjashtim të të pandehurit nga salla për thyerje të disiplinës.
Gjatë gjykimit të kësaj çështje dështuan dy tentativat e të pandehurve, e para për të pasur një avokat grek, si mbrojtës dhe ajo e marrjes së dëshmisë nga dëshmitarë nga Greqia, Italia etj. Arma që përdorën të pandehurit për të mbrojtur pafajësinë, qe fakti që në Shqipëri, nuk u trafikua asnjë sasi sado e vogël kokaine, pasi një pjesë e drogës u bllokua që në Venezuelë. Askush nuk pohon me siguri, nëse 6 të pandehurit do të ishin në burg, nëse autoritetet e huaja nuk do të siguronin provat kundër tyre. Pothuajse të gjitha provat mbërritën nga autoritetet e drejtësisë italiane me anë të letër-porosive në Shqipëri./tvklan.al