Olsi Rama nuk ka lidhje me aktivitetin kriminal të goditur në vitin 2015, ku në Xibrakë të Elbasanit u zbulua një laborator për përpunimin e kokainës. Në këtë përfundim ka dalë SPAK, pas verifikimeve pas informacionit të dërguar në Prokurorinë e Posaçme nga Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit, që rihapi dhe njëherë hetimet për këtë çështje, për të cilën më parë janë dënuar disa persona.

Përmes një deklarate për shtyp SPAK thotë se pjesë e verifikimeve nuk kanë qenë vetëm autoritetet shqiptare.

“SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë”.

Në këto kushte SPAK thotë se ka pezulluar hetimin e rinisur pas informacionit të depozituar nga deputeti, Bardhi kundër Olsi Ramës.

“Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve”.

Vetë Olsi Rama është marrë dy herë në pyetje nga SPAK lidhur me pretendimet e ngritura nga Gazmend Bardhi. Informacioni i vënë në dispozicion nga deputeti, ka shkaktuar përplasje në distancë mes Bardhit dhe vetë Olsi Ramës. Ky i fundit ka depozituar në SPAK dy padi ndaj kreut të  grupit parlamentar të PD ku e akuzon për kallëzim të rremë.

Ndërsa nuk ka munguar përplasjet e forta mes Bardhit dhe kryeministrit Edi Rama për ketë çështje, ku lideri i mazhorancës ka deklaruar se nëse nuk vërtetohen akuzat e ngritura ndaj vëllait të tij, atëherë, Bardhi duhet të dënohet për shpifje nga SPAK.

Tv Klan