Biznesi deklaron se do të rrisë presionin mbi qeverinë për uljen e taksave. Dhoma e Tregtisë ka prezantuar një draft propozimesh mbi paketën fiskale 2005 ku taksa më e kontestuar për ndryshime vazhdon të mbetet tatimi mbi vlerën e shtuar.
“Objektivat tonë sivjet janë që të bëjmë rregullime rrënjësore të legjislacionit fiskal, do të thotë të bëjmë rregullime politike, do të jemi me këtë nivel taksash që jemi sivjet apo do të kemi një nivel taksash të tjera më të ulëta p.sh. është një nga synimet tona.”
Biznesi kërkon nga qeveria eliminimin e parapagimit të taksave, mosbllokimin e llogarive bankare nga ana e tatimorëve si dhe kërkon zbatim rigoroz të legjislacionit të taksave. Sipas një anketimi të organizuar nga Dhoma e Tregtisë, 58% e bizneseve ankohen për arbitraritet të tatimeve ndërsa 77% e tyre ankohen për arbitraritet të organeve doganore. Ministri i Financave Arben Malaj deklaroi në komisionin parlamentar të ekonomisë një muaj më parë se nuk do të ketë ndryshim të nivelit të taksave deri pas zgjedhjeve të vitit 2005. Taksa më e re e propozuar dhe më e kontestuar deri tani mbetet aplikimi i TVSH-së mbi shitjen e ndërtimeve. /tvklan.al