Situatën problematike në Vlorë e ka konfirmuar edhe kryetari i bashkisë, Ermal Dredha. Ai thotë se bashkia është duke monitoruar situatën dhe se po shikohet mundësia për mbështetje financiare për familjet e prekura nga përmbytjet.
“Një rast është edhe rasti këtu te “Albano dhe Romina”. Është një rast që përsëritet sa herë ka prurje reshjesh më shumë se normalen. Mos harroni që dje kanë rënë 180 mm shi që është baraz me 1 muaj prurje nëse do ketë shi të vazhdueshëm për një muaj. Pra imagjinoni që gjithë këto prurje reshjesh kanë ardhur për vetëm 3 orë. Pastaj të vendosim edhe pjesën tjetër që ka zona në Vlorë që janë nën nivelin e caktuar, pra ka një disnivel mes rrugëve dhe ajo pastaj krijon këtë efektin vaskë po themi.
Janë gati 55 banorë në fakt që janë evakuuar dhe janë në dy konviktet që kemi ne tek Shkolla Tregtare dhe Shkolla Mjekësore. Janë asistuar qoftë me veshmbathje, qoftë me ushqime. Kjo nuk mjafton sepse jemi duke bërë një databazë me gjithë informacionet që kemi për të marrë ato masat që vijnë më pas edhe suportit financiar dhe kompensimet për dëmin që u është shkaktuar qoftë në banesa”, tha Dredha.
Tv Klan