Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Kryengritje, kjo është vepra penale me të cilën Prokuroria e Përgjithshme e cilësoi ngjarjet e 13 dhe 14 Shtatorit në zemër të Tiranës. Në momentin që digjej kryeministria, bastisej selia e kuvendit dhe pushtohej televizioni shtetëror, në Prokurorinë e Përgjithshme krijohet urgjent një grup hetimor me gjashtë prokurorë dhe dy oficer hetimi.
Më datë 14 në mbrëmje dhe 15 në mëngjes në korridoret e televizionit u bënë arrestimet e para të personave të armatosur. Deri në Dhjetor të vitit ’98, policia kishte arrestuar rreth 20 persona me akuzën “pjesëmarrje dhe organizator në kryengritje”. Gjatë kësaj kohe me kërkesë të prokurorisë, parlamenti shqiptar voton heqjen e imunitetit për kryetarin e PD Sali Berisha. Që prej vitit ’98, ish-presidenti Berisha është nën hetim si organizator i udhëheqjes së kryengritjes së 14 Shtatorit.
Më 15 Mars të vitit ’99, 13 të akuzuarit e parë për kryengritje, dalin në bankën e të akuzuarve. Në procesin e parë për 14 Shtatorin akuzohej kreu i Partisë Legaliste Ekrem Spahia, ish-shefa të policisë shqiptare, gazetar, si organizator të 13 dhe 14 Shtatorit. Një muaj më vonë në Gjykatën e Faktit, fillon procesi i dytë po për 14 Shtatorin. 10 persona cilësohen si krahu i armatosur i kryengritjes. Por dy vjet pas 14 Shtatorit të ’98 asnjë nga proceset nuk ka përfunduar. Ende pa filluar proceset dosjet kalojnë në Gjykatën e Apelit, për të shqyrtuar pavarësinë politike të gjyqtarëve.
Deri në Shtatorin e vitit ’99, për procesin e 14 Shtatorit ishin zhvilluar vetëm 28 seanca gjyqësore. Pas kësaj të arrestuarit për kryengritje dalin nga qelitë, pasi kishin mbaruar afatet e hetimit. Në një vit 99-2000, policia arreston vetëm dy persona nga lista e gjatë e të kërkuarve. Por Sali Luzha pasi mbahet disa muaj në qeli, i jepet masa e arrestit në shtëpi për arsye shëndetësore. Sot Luzha është përsëri person në kërkm. I vemi që mbahet në qeli nga 27 personat e tre grupeve nën akuzë është Dem Dollapi. Kështu drejtësia për një nga ngjarjet më tronditëse dhe flagrante në qendër të Tiranës është shndërruar në një zvarritje seancash dhe akuzash. Dy vjet më pas askush nuk është shpallur i dënuar si përgjegjës për 13 dhe 14 Shtatorin e vitit ’98./tvklan.al