Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur se pas verifikimeve në regjistrin e Gjendjes Civile, kryebashkiaku Erion Veliaj rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë 3 vendime pafajësie.

“Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se, në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me shkresën nr. 2215/prot., datë 12.02.2025, ka përcjellë vërtetimin e gjendjes gjyqësore për shtetasin E. V., i biri i L. dhe Sh., lindur më 17.12.1979.

Pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ai rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie. Sqarojmë se, në rastet kur kërkohet vërtetimi me historik, përfshihen edhe të dhënat mbi vendimet e mëparshme, përfshirë pafajësitë apo vendimet e rehabilitimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, njofton Drejtoria e Burgjeve.

Ky reagim ka ardhur pas deklaratës së kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili thoshte se e kanë shpallur fajtor ende pa nisur gjykimi, duke shtuar se në faqen e parë të dosjes hetimore prokurori kishte shënuar se ai ishte i dënuar, por që më pas gjatë seancës gjyqësore të së mërkurës, Dado ka pranuar se ishte një lapsus.

Më herët, edhe Prokuroria e Posaçme ka sqaruar se në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë drejtuar GJKKO-së për Veliajn, SPAK në asnjë moment nuk i është referuar gjendjes së tij gjyqësore./tvklan.al