Policia e Tiranës ka goditur dy grupe kriminale që dërgonin drogë me postë nga SHBA dhe Tajlanda në Shqipëri. Forcat e rendit kryen dy operacione, duke vendosur në pranga 3 shtetas, ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim.

Në total janë sekuestruar 4 kg kanabis me vlerë 68 mijë Euro, kokainë, shuma parash si dhe disa automjete që përdoreshin për këtë aktivitet kriminal.

Sipas njoftimit të policisë, njëri grup vepronte në Elbasan, ndërsa tjetri në Tiranë, të cilët shisnin lëndën narkotike në doza të vogla.

Lënda narkotike e destinuar për në kryeqytet vinte me postën shqiptare, e futur në një pako sikur të ishin fara për bar për fusha futbolli. Ndërsa grupi që trafikonte drogën nga Tajlanda e fuste lëndën narkotike në pako të kamufluar si makarona aziatike.

Policia po heton për të zbuluar dhe bashkëpunëtorët e të arrestuarve për këtë aktivitet kriminal.

Klan News