Në kuadër të operacionit policor të koduar “Catch”, Policia ka vënë në pranga Ariel Rrajën nipi i ish-deputetit të PS Rrahman Rraja, i cili ishte shpallur në kërkim.
Sipas asaj që bëjnë të ditur uniformat blu, Rrajës Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, teksa janë proceduar penalisht personat F. Rr., 56 vjeç dhe E. T., 26 vjeç, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit.
Ariel Rraja ndodhej nën masë sigurie pasi mori pjesë në konfliktin me familjen Caca në Fushë-Krujë.
Kujtojmë se në Korrik të vitit 2023, anëtarë të fisit Rraja rrahën barbarisht dy kushërinjtë Maja në Krujë. Në pamjet e videos së dhunshme të një viti më parë, Flamur Rraja ishte personi që mbante një pistoletë në dorë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë- Finalizohet faza e katërt e operacionit të koduar “Catch”. Kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas të tjerë, të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Rr., 24 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, janë proceduar penalisht shtetasit F. Rr., 56 vjeç dhe E. T., 26 vjeç, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit, dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/tvklan.al