Një hetim i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre gjermane çoi në zbulimin e një grupi kriminal që trafikonte marijuanë nga vendi ynë drejt Gjermanisë. Ky grup përbëhej nga 12 persona, 8 shqiptarë e 4 gjermanë.
Në një njoftim për mediat, Prokuroria e Posaçme (SPAK), thotë se gjatë hetimeve u evidentuan 9 episode, ku u trafikuan 912 kilogramë marijuanë në total. Vlera e drogë përllogaritet të shkojë mbi 3.3 milionë euro.
‘Koka’ e grupit, që sipas SPAK ishte drejtues dhe financues i këtij aktiviteti kriminal, u arrestua pikërisht në afërsi të godinës së Prokurorisë së Posaçme. Ai është Islam Sefa dhe u prangos një ditë më parë në ambientet e një lokali nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Autoritetet shqiptare po ashtu bënë në kontrolle në disa banesa, biznese e automjete, duke sekuestruar para e sende të tjera me vlerë.
Edhe në Gjermani pati kontrolle e sekuestrime, mes të cilave edhe 60 kilogramë marijuanë me mbishkrimin “Kruja”.
Nga hetimet rezultoi se grupi në fjalë pjesën më të madhe të aktiviteti kriminal e kishte ushtruar gjatë viteve 2020-2021. Drogën e siguronin kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e më pas e fusnin në Gjermani. Nga aty në vende të tjera të BE./tvklan.al