Finalizohet operacioni “Tempulli 4”, firmosen 28 urdhërarreste pas dokumentimit me prova të ligjshme. Hetimi ka zgjatur disa muaj dhe janë përdorur edhe metoda speciale si përgjimet dhe blerjet e stimuluara.
Burime për Klan News bëjne me dije se drogat sintetike vinin me postë nga Serbia duke krijuar kështu një rrugë të re të trafikut të lëndëve narkotike. Të dyshuarit shpërndanin lëndën narkotike në të gjithë Tiranën, por zonat kryesore ishin Blloku, Kamza dhe Kombinati. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj gjatë një koference për shtyp dha detaje për operacionin.
Gjatë hetimit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1.8 kg, lëndë narkotike kokainë, 18 kg, lëndë narkotike marijuana, 350 doza, me lëndë të dyshuar narkotike sintetike ekstazi dhe LCD aparatet celulare dhe automjetet e shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, në lokale nate dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshme të Tiranës.
Në pranga kanë rënë 24 persona, 9 prej të cilëve të ndaluar me herët dhe 15 në operacionin e fundit. 4 të tjerë vazhdojnë që të jenë në kërkim. Gjatë fjalës së tij drejtori i Policisë së Tiranës iu përgjigj interesit të mediave se nga vinte lënda narkotike.
Ky operacion është në vijim të disa të tjerëve që janë kryer nga drejtoritë vendore për të goditur veprimtarinë e paligjshme. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë siguroi qytetarët se është e angazhuar për të garantuar një proces mësimor sa më të qetë dhe normal.
Klan News