Lajmi i largimit të ikonës së modës Donatella Versace nga shtëpia e njohur e modës ishte pa dyshim kryefjala e mediave të huaja. Mes atyre që kanë reaguar ka qenë edhe këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa, e cila ka zgjedhur ta nderojë përmes një postimi në rrjetet e saj sociale.
Artistja ka shpërndarë foto në të cilat pozon e veshur me rrobat e markës luksoze, si dhe ka ndarë momente me Donatella Versace, ndërsa me një fjali ka vlerësuar talentin dhe veçantinë e saj.
“Askush nuk e bën si ju”, ka shkruar ajo në mbishkrimin e postimit të saj.
Dua Lipa ka bashkëpunuar me ikonën e modës për koleksionin “La Vacanca” të vitit 2023. Donatella do të jetë ambasadorja kryesore e kompanisë duke u fokusuar në projektet filantropike. Prej 1 Prillit, vendi i saj do t’i përkasë Dario Vitale i cili ka qenë drejtor dizajni dhe imazhi te Miu Miu.
Kur Donatella Versace mori në dorë drejtimin e kompanisë pas vrasjes së vëllait të saj, Gianni, pjesa më e madhe ishin të sigurt se ajo nuk do t’ia dilte që të çonte drejt suksesit shtëpinë e modës, por u provoi të gjithëve të kundërtën, duke e kthyer Versace në një emër global dhe vetë u shndërrua në një nga stilistet më të suksesshme të historisë së modës moderne.
Klan News