Kënga e Dua Lipës “Love Again” nuk shënoi hapjen më të mirë për Orin në këtë natë të pestë të “X Factor Albania” në Tv Klan. Pas përfundimit të performancës së shoqëruar me koreografi, konkurrenti u përball me kritika nga Adi Krasta.
Anëtari i jurisë nuk ishte dakord me përzgjedhjen e këngës dhe koreografinë që e cilësoi “të panevojshme”. Ori e justifikoi performancën e tij duke thënë se ishte e guximshme pasi këtë e kanë bërë vetëm yje të mëdha pop-i si Dua Lipa.
Krasta nuk e përmbajti ironinë, por mendimin final ia la në dorë Arilena Arës që gjithashtu mendon se duhet të ishte përzgjedhur një këngë tjetër, por i sugjeroi të tregohej më i zgjuar në vijim.
Adi Krasta: Në luftën e madhe që është bërë gjithmonë midis formës dhe përmbajtjes, një luftë e ashpër ku shpeshherë forma ka fituar, është kutpuar që forma është e pamjaftueshme, përmbajtja, mënyra e të kënduarit është e domosdoshme. Zgjedhja e gabuar e këngës, edhe vetë Dua Lipa shpeshherë këtë këngën në mos e ka abortuar, kjo është një këngë që këndohet me regjistër poshtë, do të duhet të këndohet nga një vajzë, e merr një djalë e bën akoma më poshtë dhe e dini, një këngë të muzikës pop të momentit i vë komplet pa asnjë shkak koreografi kauboojsësh totalisht të panevojshme. Të panevojshme! Në televizion ka një moto të madhe që ua mësojmë studentëve ne “bëje, por justifikoje!” Ka mundësi për kuriozitet kulturor, Dua Lipa e momentit me këngën “Love Again”, si e justifikove ti gjatë gjithë kohës performancën “alla Wild West?”
Ori: Tani, unë nuk e di sa i azhornuar je ti me kulturën pop, por rinia Dua Lipa e kemi parë në videoklipin “Love Again” dhe në turneun Radical Optimism ka këtë koreografi, këtë shtrirjen që unë bëra në tokë që ta shkatërron diafragmën, mua më duket goxha e vështirë dhe ndoshta… shiko, unë e respektoj mendimin tënd, por fakti që e respektoj nuk do të thotë që jam dakord. Unë mendoj që nuk jam këngëtari më i mirë në botë, por mendoj që do goxha guxim të marrësh një këngë femre, që ka një koreografi të vështirë dhe ta sjellësh në nivele të tilla… këtë shtrirjen e ka bërë veç Beyonce, Ariana Grande dhe Dua Lipa.
Alketa Vejsiu: Ky është debati që i ka munguar X Factor-it! Ti qenke bilbit more nga goja! Ky qenka jashtëzakonisht i artikuluar, jo vetëm këngëtar!
Adi Krasta: Faleminderit që pyete nivelin tim kulturor, unë e pyes vazhdimisht dhe kam dyshime të mëdha për atë që kuptoj e di, patjetër, sidomos në krahasim me brezin e momentit. Brezi i momentit është i thellë, me analiza shumë të forta, përveç kësaj duhet të jemi të lumtur. Pas Beyonce dhe Ori, komplimente me gjithë zemër! Përgjigjen që ta dish ti, do të ta japë Arilena.
Arilena Ara: E hodhi topin Adi. Shiko, për sa i përket përzgjedhjes së këngës është gati-gati e turpshme ta diskutosh në këtë fazë ku jemi se ka një produksion, ka një ekip, ka mentorë siç jemi ne që e fusim në sitë dhe atë që mendojmë se është më e mira për ju, e zgjedhim si më të mirën për ju. Ndodh që konkurrentët janë shumë kokëfortë dhe duan patjetër të realizojnë ca materiale të tilla që janë shumë të mira, shumë të bukura që jo domosdoshmërisht i shkojnë Orit në rastin konkret. Ajo që the ti, ke të drejtën ta mendosh pa diskutim, por edhe unë si Arilenë mendoj dhe e kuptoj pak më shumë se ty se çfarë do të të shkonte për të të ndritur. Ti prapëseprapë ke një guxim të jashtëzakonshëm, je shumë skenik, nuk është faji yt që more një koreografi kabojësh se në fakt erdhi thjesht në atë që ka bërë Dua Lipa në klip. Gjithsesi je shumë në atmosferë, ke energji shumë të mirë, uroj pafund të jesh më i zgjuar në javët në vazhdim për përzgjedhjen muzikore./tvklan.al