David dhe Rigers Avxhi, 27 dhe 25 vjeç, nga Pogradeci janë të dy të lindur me nanizëm dhe për këtë arsye të papunë e të bullizuar.
“Ju kam ftuar ju si emision për të na ndihmuar për punë. Nuk më ofrojnë punë sepse më mungojnë disa centimetra. Unë vuaj nga nanizmi.
(Rigersi) edhe në rrjetet sociale ka pasur probleme. E kanë ofenduar, e kanë sharë. E vetmja foto që ka Rigersi të plotë na e ka bërë një shok në një lokal ku unë punoja. Madje ka tentuar të vetëvaret, për paragjykimet e njerëzve, e kanë sharë, e kanë bullizuar”, tha Davidi.
Ata kanë mbaruar studimet në Hoteleri Turizëm, për mekanik dhe recepsion.
“Sezonit punoj në një lokal si ndihmës banakier. Atje nuk më dilte. Dua një punë ta kem stabël, të përditshme”, tha ai.
Rigersi dhe Davidi trajtohen me Kemp nga 70 mijë lekë të vjetra secili dhe KMCAP i ka cilësuar si të aftë për punë.
“Erdhi një moment i vunë nga 70 mijë lekë, si të aftë për punë”, tha Davidi.
Ata kërkojnë një punë normale, për aq sa i lejon shëndeti.
“Një punë të përshtatshme, çfarë të ofrojnë ata. Një punë mos të jetë shumë e lodhshme për këmbët sepse më dhembin këmbët shumë”, tha Davidi.
Në shtëpinë e tyre janë dhe dy prindërit dhe të ardhurat e familjes janë 370 mijë Lekë të vjetra në muaj. Për t’ia dalë është shumë e vështirë.
“Këtu fle vëllai, ndërsa unë me babin dhe mamin fle këtu. Këto janë të ardhurat tona”, tha Davidi.
Davidi thotë se ka dëshirë të krijojë edhe familje, por duhet të ketë punë e të ardhura që ta realizojë këtë.
“Kam njohur një gocë dhe ajo është 27. E njoha në rrjetet sociale. Ajo është si puna ime, me nanizëm. E njoha pak nga pak dhe hyra në temë që të krijojmë familje të dy. Ka këtu e një vit. Dua të krijoj familje, por nuk kam punë. Ky është ngërçi që kam unë me atë si çift. Dua një punë ta kem të përditshme stabël dhe pastaj të nis jetën”, tha ai.
Gazetarja e “Stop” flet me kryetarin e Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, i cili premton zgjidhje për dy vëllezërit me nanizëm.
Kryetari i Bashkisë, Ilir Xhakolli: Odeta, unë në fakt nuk ndodhem në Pogradec. Jam në Tiranë në një takim. Odeta unë falenderoj për rastin, i njoh personat. Janë persona të lindur ndryshe dhe ata janë të aftë për punë, mesa di unë dhe ndoshta kanë nevojë për mbështetjen e Bashkisë apo dhe institucioneve të tjera, që atë mund të rrojnë si gjithë të tjerët. Pavarësisht, se nuk ndodhem aty, juve do t’ju adresoj tek nënkryetarja e Bashkisë. Ato do të marrin masa që patjetër, njëri prej tyre të sistemohet në Bashki, sipas profesionit, që kanë, apo aftësisë, që kanë për punë.
Gazetarja: Tani ne vijmë paketë jemi dy. E kuptoj që dy persona nga një familje në një ndërmarrje nuk lejohet siç thotë Jovan Bregu por tjetrin mund ta sistemojmë diku tjetër.
Ilir Xhakolli: Sigurisht, që ka nevojë edhe biznesi privat dhe besoj, që do të bëjmë diçka për të dy këta çunat./tvklan.al