Në 16 Maj 2019 sollëm shqetësimin e Merita Likës, që në përfundim të tre viteve studim në Universitetin Ufo, sot Albanian University, i thanë se nuk mund të diplomohej pasi nuk pajisej me numër matrikulimi.
Megjithëse universiteti ishte në dijeni të mesatares së Meritës që në fillim, e la studenten të çonte dëm 3 vite duke i ofruar në përfundim që të diplomohej për laborante dentare.
5 vjet më vonë Merita na tregon se iu drejtua gjykatës për dëmshpërblim. Verbalisht gjyqtarja Manjola Xhaxho i ka thënë se ka miratuar masën e dëmshpërblimit 3800 Euro, por si të mos mjaftonte shuma qesharake, vendimi nuk është zbardhur, për pasojë Merita nuk mund ta apelojë.
Merita Lika: Pasi kisha mbaruar 3 vite, më anuluan shkollën, që unë kisha bërë. Kërkova, që të më jepnin një dëmshpërblim ndaj meje dhe vendosa që ta ndiqja me gjyq. Në gjyqin e fundit ata vendosën që unë të merrja vetëm 3800 Euro si dëmshpërblim, pagesën e viteve, që unë kisha bërë për 3 vite.
Gazetarja: Pasi u dha vendimi në mënyrë verbale a jeni pajisur ju dhe me vendimin e zbardhur?
Merita Lika: Jo! Akoma nuk jam pajisur me vendimin e zbardhur, ma ka dhënë si opsion me gojë, nuk ma ka dhënë me shkrim. Unë kërkoj vetëm, që të më japë diçka me shkrim, se unë dua, që ta hedh në Apel. Gjyqtarja, që gjykoi rastin tim, është Manjola Xhaxho. Prej një viti, gjyqtarja Manjola Xhaxho, nuk ka zbardhur vendimin në mënyrë, që unë ta apeloj duke shpresuar, që në Gjykatën e Apelit, të marr dëmshpërblimin e kërkuar.
“Stop” iu drejtua Sekretarisë së Gjykatës së Shkallës së Parë, ku na u tha, se dosja është ende te gjyqtarja Xhaxho, e cila nuk e ka dorëzuar si të përfunduar, edhe pse afati për zbardhjen e vendimeve është 20 ditë.
Qytetarja: Të lutem! Dua një informacion në lidhje me zbardhjen e një vendimi me palë Merita Lika!
Sekretaria: Lika! Po! Me kë gjyqtare është?
Qytetarja: Manjola Xhaxho!
Sekretaria: Goca është akoma në gjykim. Në sistem del, që është në gjykim do të thotë, që dosja është lart te gjyqtarja e vet. Nuk ka zbritur goca.
Qytetarja: Si nuk ka zbritur? S’e kuptova?
Sekretaria: S’është dosja këtu. Dosja është lart te gjyqtarja.
Qytetarja: Më falni! Gjyqtaren Manjola Xhaxho!
Sekretaria: Hëëëë edhe njëherë nuk është sot edhe nuk e takon dot. Do të vij me fletëthirrje, po ke gjyq.
Qytetarja: Faleminderit!/tvklan.al