Grida Duma i është kundërpërgjigjur Kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili më herët gjatë kësaj të shtune paralajmëroi ndaj saj padi në gjykatë për shpifje.
“Buratini i Ramës është i kapur kokë e këmbë! Asnjë mjet nuk do më ndalojë mua, Partinë Demokratike të luftojmë për të vërtetën! Askush nuk do të na ndalojë të themi të vërtetën dhe në 25 prill t’i japim shqiptarëve një qeveri që kujdeset për ta. Bashkëngjitur shikoni gjyqin të fituar me Veliaj për shpifje, kur denoncuam të tjera shkelje dhe abuzime te tij me taksat e shqiptarëve”, thotë Duma në një reagim të përcjellë nga selia blu.
Partia Demokratike deklaroi këtë të shtunë se disa përgjime të Antimafias italiane ndaj organizatës mafioze Ndrangheta, konfirmojnë se në Tiranë pastrohen para për mafien italiane me lejet e ndërtimit, koncesionet dhe me tenderat publikë.
Ish-deputetja Duma foli me emra duke akuzuar Kryeministrin Rama dhe Kryebashkiakun Veliaj për lidhje të drejtpërdrejta me një nga anëtarët Ndranghetës.
Në përgjigjen për akuzat e Partisë Demokratike, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kushdo që ndërton në Bashkinë e Tiranës ka një emër dhe mbiemër, kurse lejet e ndërtimit kanë dosje transparente për mënyrën e financimit.
Veliaj e quajti Dumën një trafikante apartamentesh dhe paralajmëroi padi ndaj saj./tvklan.al