Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se mbetet shqetësues fenomeni i pastrimit të parave nëpërmjet sektorit të ndërtimit, blerjes së apartamenteve dhe ngritjes së bizneseve. Në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, Dumani tha se përveç rrugëve të tjera që grupet kriminale përdorin për të qarkulluar dhe pastruar paratë janë edhe bankat.
Altin Dumani, drejtues i SPAK: Investimet në pronat e luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin bankat dhe bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare si mafia italiane.
Teksa vlerësoi bashkëpunimin që SPAK ka me institucionet e tjera ligjzbatuese, Dumani tha se nga verifikimet e kryera nga organi i drejtësisë, rezulton se shumë drejtues në Policinë e Shtetit bashkëpunojnë me krimin e organizuar.
Altin Dumani, drejtues i SPAK: Na ka rezultuar që drejtues të lartë të Policisë së Shtetit të lidhur me krimin e organizuar, është ulëritëse kur bëjnë pjesë, kur bashkëpunojnë me krimin e organizuar, në krime që krimi i organizuar kryen.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Dumani theksoi nevojën për zgjatjen e mandatit të prokurorit si dhe më shumë burime njerëzore në SPAK dhe strukturat e tjera hetimore.
Altin Dumani, drejtues i SPAK: Duhen bërë ndryshime me qëllim parashikimin e dhënies së mundësisë apo të drejtës së rizgjedhjes së prokurorëve në përfundim të afatit nëntë vjeçar.
Kreu i SPAK tregoi se ku shkojnë paratë që paguhen për inceneratorët.
Altin Dumani, drejtues i SPAK: Çdo para shkon në llogari të agjencisë të administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, zero para shkon tek pronarët, shkon tek agjencia, çdo para atje.
Një përgjigje pati dhe për pyetjen e deputetit të PD, Dashnor Sula, nëse kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është apo jo në hetim.
Altin Dumani, drejtues i SPAK: Kësaj pyetjeje nuk i jap përgjigje sepse kjo është çështje hetimi. Sa i takon çështjes koleg apo jo koleg, koleg ne kemi vetëm njëri-tjetrin atje në Prokurorinë e Posaçme dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në komisionin e Ligjeve nuk munguan dhe përplasjet mes deputetëve dhe Dumanit. Pyetjes së Flamur Nokës nëse është marrë peng nga kryeministri Edi Rama, Dumani iu përgjigj ashpër.
Altin Dumani, drejtues i SPAK: Politikë? Nuk ka shanse të jem politikë dhe nuk ka shanse të më ndikojë kush mua në punën time dhe ju e dini shumë mirë, që nuk ka shans të më ndikojë kush në punën time, zero shanse dhe nuk jam peng i askujt.
Mes përplasjes me demokratin, Dumani pati dhe një moment reflektimi.
Për pyetjen e Nokës për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, kreu i SPAK sqaroi se nuk është në kompetencën e tij për të vendosur, por e gjykatës.
Altin Dumani, drejtues i SPAK: Ajo është një çështje në hetim, çdo vendim është i kontrollueshëm nga sistemi gjyqësor, por mund të them këtë që drejtësia nuk mund të sfidohet.
Kreu i SPAK u bëri thirrje institucioneve që të bashkëpunojnë më shumë me organin e drejtësisë, teksa theksoi uljen e kallëzimeve të tyre gjatë vitit 2023.
Klan News