Prokuroria e Posaçme ka përgatitur një strategji për hetimin e krimeve zgjedhore, e cila do të funksionojë për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Në një komunikim me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se ajo do të bëhet publike brenda muajit Janar.
Altin Dumani: Strategjia pothuajse ka përfunduar. Shpresoj që deri në fund të Janarit do të publikohet. Ajo do të bëhet publike pasi të miratohet dhe të jetë zyrtare. Pritet miratimi, po ashtu është menduar edhe një plan veprimi dhe një urdhër për mënyrën e veprimit, por për momentin nuk mund ta bëj publik atë.
I pyetur pse deri më tani SPAK nuk ka arritur të identifikojë politikanë që kanë pasur komunikime në SPAK, Dumani dha këtë përgjigje: Nuk është e vërtetë që s’ka arrestime të politikanëve, pasi kemi ish-deputetin Jurgis Çyrbja të arrestuar. Ne nuk kemi në dispozicion të gjithë databazën e “Sky ECC”, në vijimësi ne kërkojmë kode të tjera kur na dalin në bazë të hetimeve që kemi. Në bazë të rezultateve të deritanishme, nuk na ka dalë lidhja direkte.
Për kreun e SPAK, është e rëndësishme që bisedat e gjetura në Sky të lidhen edhe me prova të tjera.
Altin Dumani: Ne si institucion jemi të vëmendshëm që të ndajmë provën nga thashethemi, duke u përpjekur që të jemi sa më objektiv. Në përpiqemi që të mos kemi në dispozicion vetëm komunikimet në “Sky ECC”, por t’i lidhim ato edhe me prova të tjera. Ju garantoj që në momentin që konstatohet kushdo person, dhe kemi prova, do të marrim vendimet tona.
I pyetur për çështje konkrete ku objekt të hetimeve janë zyrtarë e ish-zyrtarë, Dumani u shpreh se SPAK është duke kryer veprime të ndryshme hetimore, por nuk mund të jepte detaje.
Tv Klan