Qendra shëndetësore e fshatit Spiten në Lezhë ishte e mbyllur këtë të hënë. Banorët shkuan që të merrnin shërbim, por nuk gjetën aty askënd. Kjo bëri që ata të dalin në protestë dhe sipas tyre ndodh shpesh që largohen pa marrë shërbim pasi nuk ka mjek.

“Vij këtu dhe asnjëherë nuk bën vaki që të gjej para orës 9 një shërbim. Mjeku nuk bëhet fjalë ta gjesh këtu.”

“Këta vijnë këtu, trokasin dhe nuk është askush. Personi që pret njerëz, duhet të jetë dera hapur.”

Pas këtyre ankesave reagoi edhe mjekja e qendrës shëndetësore. Ajo thotë se situata është krijuar pasi ambientet po rikonstruktohen ndërsa shprehet se banorët janë lajmëruar më herët.

Entela Merxhani, mjeke: Po sot ambulanca e Spitenit ka qenë e mbyllur sepe ne kemi njoftuar edhe drejtorinë edhe banorët sepse po bëhet ndërhyrje në ambientet e brendshme edhe për izolimin e tarracës për lagështirë edhe për lyerje dhe kemi njoftuar që ditën e premte që ambulanca ditën e hënë do të jetë e mbyllur.

Ajo hedh poshtë edhe pretendimet e banorëve se nuk marrin dot shërbim shëndetësor.

Entela Merxhani, mjeke: Ambulanca është e hapur nga ora 8:00 në orën 15:00 dhe është infermierja e Spitenit që është përdit aty dhe ju jep shërbim banorëve gjithë kohën. Edhe mjekja, unë kur i mbuloj, lëviz sepse mbuloj edhe Treshin edhe Spitenin dhe Markatomajn. Nuk mund të jem gjithë kohën, por infermierja është gjithë kohës në ambalancë dhe jep çfarëdolloj shërbimi që mund të kenë nevojë banorët.

Kjo qendër shëndetësore u shërben mbi 2 mijë banorëve të fshatit.

Klan News