Ka nisur me tension debati publik lidhur me ndërtimin e portit të ri të peshkimit në qytetin e Durrësit. Bashkia që ishte dhe organizatore e kësaj tryezë nuk kishte ftuar në takim përfaqësues të shoqatës së peshkatarëve, çka solli që në fillim irritimin e tyre.

Më pas kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako paraqiti argumentet e tij kundër ndërtimit të portit të peshkimit në kalatën zero të portit, duke renditur si prioritet të bashkisë së Durrësit turizmin

Vangjush Dako: “Prioriteti jonë është turizmi, duke u nisur nga këto ne mendojmë se ai port peshkimi në atë pozicion nuk duhet të ndërtohet sepse na sjell një imazh shumë negativ për gjithë qytetin, për këdo që vjen nëpërmjet detit. Dhe në kohën e mëparshme porti i peshkimit është vendosur në pjesën lindore, pra në pjesën periferike të qytetit, si e si që ndotjet në qytet të ishin sa më të pakta.”

Këto argumente janë hedhur poshtë nga përfaqësues të ministrisë së Mjedisit dhe specialistë të ambientit.

Aleksandër Garuli: “Porti i peshkimit nuk është industri përpunuese, porti i përshkimit është transit i mallit. Të bllokosh një investim prej 15 milion dollarësh, njëkohësisht bllokohet dhe një investim prej rreth 15 milion dollarësh të tjerë që ka të bëjë me zgjerimin e sheshit të trageteve. Pra të privosh këtë qytet nga dy investime kaq të nevojshme dhe që ndikojnë në ekonominë e familjeve të këtij qyteti, do të thotë që përveç një qëllimi politik të mos kesh qëllim tjetër.”

Pro ndërtimit të portit të ri të peshkimit është shprehur edhe deputeti demokrat i qarkut të Durrësit, Osman Metalla, ndërsa ai socialist Blendi Klosi kërkoi gjetjen e një zgjidhje përmes diskutimeve në rang specialistësh.

Osman Metalla: “Në qoftë se ti ke vendosur për të mos e ndërtuar këtë port peshkimi, përse e bërë këtë takim atëherë. Duhet të me pyesësh edhe mua se edhe unë jam qytetar i këtij qyteti, edhe unë jam njeri i zgjedhur i këtij qyteti dhe absolutisht do ti pyesësh të gjithë. Megjithatë ju thoni që studio italiane ka thënë, ka rekomanduar që të mos ndërtohet porti i peshkimit aty. Po e ka thënë studio italiane, por të mos harrojmë që termat e referencës i keni përgatitur ju dhe i keni thënë që ne këtë port nuk e duam këtu, sepse nuk i doni ata njerëz atje.”

Blendi Klosi: “Askush nuk është kundër ndërtimit të portit. Jemi këtu realisht për të gjetur një zgjidhje dhe unë do doja që t’iu nxisja dhe juve që ta ngrini zërin më me forcë se pak e keni ngrit. Jo kur bëhet ky aktivitetit, duhet ta ngrini më me forcë se unë ua them vetë, por ama ne duhet të gjejmë argumentet që ti japim zgjidhje.”

Pas këtij takimi të parë, palët vendosën të mblidhen sërish për të diskutuar mbi projektin dhe ndërtimin ose jo të tij në kalatën zero të portit tregtar./tvklan.al

Gazetare: Enkeleda Arapi