Lajme Arkiva – TV Klan 2004
5 të vdekur dhe 4 të plagosur edhe këta në gjendje kritike për jetën është bilanci i dy aksidenteve tragjike në Shkodër mbrëmjen e djeshme. Aksidenti i parë ka ndodhur në rrugën Vermosh-Hani i Hotit.
Një furgon i ka prerë rrugën kamionit ku udhëtonin 6 vetë. Kamioni ka devijuar dhe i ka rënë murit rrethues, por edhe muri është shembur dhe kamioni ka përfunduar 20 metër në humnerë. Në vend kanë vdekur Vesel Pepa 45-vjeç dhe Eland Kola 22 vjeç. Ndërsa të plagosurit janë Kol Progni 60 vjeç, Gjelosh Naçaj 52 vjeç, Flora Naçaj 34 vjeçe dhe Artur Kaçaj 27 vjeç. 4 të plagosurit ende nuk janë jashtë rrezikut për jetën, pasi kanë dëmtime dhe trauma në trup dhe kokë. Në gjendje më të rëndë se të tjerët gjendet Kol Progni.
Si të mos mjaftonte ky aksident, një tjetër përplasje tragjike ka ndodhur 4 minuta më pas. Tre persona që udhëtonin me një Benz kanë mbetur të vdekur në fshatin Trush. Viktimat janë Sadik Leporoshi 47 vjeç, që ishte edhe drejtuesi i mjetit, Selaudin Gërçari 53 vjeç dhe Sadedin Tula 55 vjeç të tre nga qyteti i Shkodrës. Mendohet që shpejtësia ka qenë shkaku i daljes së makinës nga rruga./tvklan.al