Një birrari gjermane premton të largojë frikën e koronavirusit me vaksinën e saj birrë me katër doza. Pronarët paralajmërojnë se vaksina e tyre nuk ofron mbrojtje nga Covid-19 por ndihmon për të buzëqeshur.

David Hertl dhe Dario Stieren bashkuan forcat për të krijuar vaksinën birrë nën markën “Impfstoff” sasia e parë e të cilës u shit për tre orë e gjysmë.

“Ka shijen e një koktejl me fruta, shumë e ëmbël ashtu si një vaksinë për fëmijët”, thotë Stieren

Dy prodhuesit e rinj të birrës nuk kanë marrë ndonjë kritikë për përfitimet ekonomike duke shfrytëzuar pandeminë, por disa janë ankuar “se birra e prodhuar është e pamjaftueshme.”

Ata thonë se t’i bësh njerëzit të qeshin është më e rëndësishme sesa të fitosh para.

“Jemi duke marr lajme të këqija prej më shumë se një viti. Ndaj menduam ta këpusim zinxhirin dhe të sjellim diçka që i bën njerëzit të qeshin”, i tha Dario Stieren televizionit Reuters.

Dikur konsumatori më i madh i birrës dhe organizator i festivalit të madh Oktoberfest, sot Gjermania ndeshet me rënien e konsumit, pasi pandemia dhe masat kufizuese në fuqi sollën mbylljen e mijëra bareve dhe restoranteve.

Vitin e kaluar prodhuesit e birrës pësuan humbje prej 5.5%, ndërsa festivali më i madh i birrës në botë, Oktoberfest, u anulua.

Klan News