Sipas një legjende nga zona e Çermenikës, një zanë dilte nga shpella në datën 14 Mars dhe sinjalizonte ardhjen e pranverës. Prej atëherë festohet Dita e Verës që simbolizon ripërtëritjen dhe rigjallërimin.

Gazetarja e emisionit “Stop” në Tv Klan, Odeta Gjevori e ka festuar gjithnjë këtë festë. Ajo shpjegon se nevojitet shumë parapërgatitje për Ditën e Verës sepse duhen gjetur përbërësit e duhur dhe të freskët për ballokumen e cila përgatitet në enë bakri. Gazetarja ndan me “Shije Shtëpie” edhe një traditë shumë të bukur që lidhte njerëzit me njëri-tjetrin.

Odeta Gjevori: Dita e Verës është më tepër përgjegjësi e nënave, e nuseve, e grave, pse? Sepse ato investohen shumë gjatë gjithë kësaj kohe, flasim për gjyshet e hershme të cilat bënin edhe hiset, i themi ne në gjuhën popullore, janë disa racione, me pala fiku, me arra, me bajame, ballokume, kofshën e gjelit të detit dhe shumë gjëra të tjera që ia përgatisnin nipërve të tyre, fqinjëve të tyre,  kishte edhe një konkurrencë dhe që në mëngjes trokisnin dyert, kjo është hiseja ime, kjo është hiseja jote, shumë emocion.

Gjevori merr në dorë një pjatë ku ka vendosur disa elementë dhe shpjegon kuptimin pas secilit prej tyre.

Odeta Gjevori: Te kjo pjata vendoset një vezë e zier, një gur, për këtë gurin duhet marrë nga Shkumbini.

Katerina Trungu: Po pse?

Odeta Gjevori: S’e di, ja duhet të ishte kështu, nuk e gjen dot në rrugë se duhet të ishte tip zhavorri. Kur them unë që ka investim Dita e Verës, ju s’besoni. Kjo dega, degë trëndafili dhe oriz. Unë këtë e kam bërë te shtëpia ime në mëngjes, para se të vija make up-un.

Pasi të jenë grumbulluar të gjitha këto, para pasqyrës ndiqet një ritual i thjeshtë me secilin prej tyre që gazetarja e demonstron./tvklan.al