Një rast tjetër dhune në familje vjen nga provinca e Vareses në Italinë fqinje, aty ku një grua shqiptare gjeti pas 10 vjetësh kurajën për të denoncuar bashkëshortin dhe vjehrrit, të cilët e keqtrajtonin në mënyrë të përsëritur.

Gruaja, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, jetonte në Cassano Magnano. Për 10 vjet, ajo vuajti keqtrajtimet e bashkëshortit, vjehërrve dhe fëmijëve, pasi këta të fundit detyroheshin nga gjyshërit.

Një histori e rëndë familjare, që më në fund u denoncua tek karabinierët e Busto Arsizio, e që përfundoi me arrestimin e burrit, si dhe ndalimin e vjehërrve për t’iu afruar fëmijëve dhe nuses për të paktën 10 vjet.

Nga hetimet rezultoi se për 10 vjet me radhë, gruaja kishte jetuar në kushte skllavërie. Nuk kishte para, përveçse për pazare të vogla, nuk mund të dilte pa leje dhe nuk kishte telefon. Ajo ishte e detyruar që të plotësonte çdo kërkesë të bashkëshortit të saj 35-vjeçar, po shqiptar, si dhe prindërve të tij.

Pikërisht këta të fundit, në disa raste i detyronin fëmijët që ta godisnin nënën e tyre me gurë, ndonëse ajo ishte shtatzënë me fëmijën e saj të fundit.

Gruaja kishte përfunduar disa herë në urgjencën e spitalit, por pavarësisht problemeve me shëndetin, dhuna nuk ndaloi kurrë. Në një rast, bashkëshorti e kishte përdhunuar të shoqen, kur ajo sapo i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Sa herë që gruaja tentonte që të shpëtonte nga dhuna fizike dhe psikologjike, ai e kërcënonte duke i thënë se do t’i vriste fëmijët.

Ky rast absurd dhune doli në dritë falë një miku të familjes, që e bindi gruan për të bërë denoncim. Ajo iu drejtua fillimisht një shoqate në Busto Arsizio dhe më pas shkoi tek karabinierët.

Pasi vërtetuan dhunën, karabinierët prangosën 35-vjeçarin, i cili akuzohet për dhunë seksuale dhe keqtrajtim në familje.

Nëna shqiptare sëbashku me fëmijët e saj janë dërguar në një strukturë të mbrojtur, ku do të mund dalëngadalë të rikuperohen nga dhuna e pësuar.

/tvklan.al