Gazetari Besar Bajraktaraj ka siguruar një tjetër video nga momenti i atentatit ndaj Klaudio Prendit.
Nga pamjet që duken më qartë, pasi ka lënë ambientet e lokalit ku po qëndronte, Prendi i është drejtuar mjetit të tij “Mercedes-Benz G-Class”. Sapo ai ka mbyllur derën e shoferit, në kamera shfaqet makina “Audi” e autorëve që besohet se zbriti nga zona e Freskut.
Pasi janë afruar kanë qëlluar me armë drejt mjetit të Prendit.
Ndërkohë në një tjetër video të publikuar më herët, pas makinës së Prendit ka qenë një mjet tjetër që ka lëvizur me shpejtësi mbrapsht sapo shoferi ka parë të shtënat. E nga aty autorët lëvizin me shpejtësi më pas në drejtim për nga qendra.
Ata e kanë çuar mjetin në Farkë, aty ku e kanë djegur tërësisht. Policisë iu desh ta kontrollonin dy herë për të gjetur aty armën e krimit, një pistoletë, e cila ishte plotësisht e djegur.
Policia e Tiranës po heton në disa pista pas vrasjes së Klaudio Prendit. Një ndër më të besueshmet është konflikti që 27-vjeçari ka pasur kohët e fundit.
Mësohet se i riu ka pasur një shumë rreth 15 mijë Euro për të kthyer dhe për këtë arsye dyshohet se është konfliktuar me grushte pak ditë më parë.
Babai i viktimës, ish-gjyqtari Fran Prendi, në dëshminë e tij ka thënë që ishte në dijeni që djali i tij kishte konflikte me të tjerë, por nuk e mendonte sa do të përfundonte deri në atentat.
Policia është në kërkim të autorëve që kryen krimin e rëndë./tvklan.al