#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Të ftuar: Arba Gramo – Prind / Sipermarrëse, Erion Muça – Ekspert i këshillimit të karrierës, Klodian Çelmeta – Student UART

#gjenerataalfa #tvklan #edielashqiptare #arditgjebrea #shqiperi #tv #televizion #riniashqiptare

“Vajza donte të bëhej aktore”, si e ndihmoi Arba Gramo të zgjidhte rrugën e duhur

Zgjedhja e degës së studimit në universitet është konfuzuese si  për fëmijët, ashtu edhe për prindërit. Të rinjtë  e “Gjeneratës Alfa” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan dyzohen mes pasioneve dhe dëshirës për të bërë karrierë, arritur sukses dhe të ardhurave të mira.

Prindërit gjithnjë dëshirojnë që fëmijët të kenë një profesion që do t’u sigurojë sa më shumë të mira që jo domosdoshmërisht pala tjetër i përqafon apo anasjelltas.

Sipërmarrësja Arba Gramo ndau me të rinjtë eksperiencën e saj si nënë e tre fëmijëve. Ajo tregon se i ka udhëzuar fëmijët, por në fund vendimi u ka mbetur atyre. Sa u përket pasioneve, vajza e saj dëshironte të bëhej aktore dhe u  gjet një mënyrë që ajo ta ‘testonte’ profesionin për të vendosur nëse do të vijonte më tej.

Arba Gramo: Në familjen time, të tre fëmijët, në fakt dy fëmijët kanë zgjedhur drejtimin.

Ardit Gjebrea: E kanë zgjedhur vetë apo e ke sugjeruar ti?

Arba Gramo: Ka pasur diskutime midis dy palëve, nuk ka qenë një vendim as i imi, as i fëmijës përkatës, kështu që mendoj që vetëm kështu mendoj që mund të shkohet.

Ardit Gjebrea: I kujt?

Arba Gramo: Në fund fare, vendimi ka qenë i fëmijës, patjetër,absolutisht. Unë nuk mendoj që është absolutisht as e shëndetshme dhe as e suksesshme nëse flasim për sukses që fëmijët të detyrohen të  studiojnë një degë, të marrin një rrugë e cila nuk i pëlqen. Vajza e madhe për shembull ka dashur që e vogël të bëhej aktore, por jo aktore se të gjithë kemi thënë, të paktën ne në moshën time donim që të bëheshim këngëtarë, aktorë, këto gjërat i kishim qejf të gjithë dhe mbase është një dëshirë e të gjithë fëmijëve dderi në njëfarë pike por Krista këmbënguli shumë gjatë te kjo dhe e vetmja mënyrë si ne menduam që ta zgjidhnim ishte që Krista në fakt të shkonte në një shkollë aktrimi, një shkollë verore aktrimi dhe të kuptonte nëse aktrimi ishte ai profesion ose ishte vërtet ashtu siç ajo e mendonte që ishte.

Ardit Gjebrea: Super zgjidhje!

Arba Gramo: Shkoi dhe tha që “jo, e mendoja ndryshe”, akoma dhe sot e kësaj dite e ka dëshirë, por nuk e zgjodhi absolutisht për rrugën e saj primare dhe studioi diçka tjetër.

Prindërit preferuan mjekësi,ai teatrin/”E mesmja e artë” e Klodian Çelmetës është plani B

Dëshira e prindërve jo gjithnjë është vendimtare për të zgjedhur degën e studimit dhe profesionin.  Shpesh kemi dëgjuar histori kur janë prindërit ata që vendosin apo ngulmojnë që fëmija të zgjedhë një drejtim të caktuar, por rasti i Klodian Çelmetës tregon “të mesmen e artë”. I riu i ftuar në “Gjenerata Alfa” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, e ka respektuar dëshirën e prindërve dhe ka ndjekur një degë të lidhur me shkencat mjekësore teknike. Por pasioni i tij i madh ishte teatri dhe pasi futi në xhep diplomën e parë, iu përkushtua sërish studimeve në Universitetin e Arteve

Klodian Çelmeta: Me të përfunduar gjimnazin,  unë vazhdova studimet në ciklin Bachelor për Teknik Imazheri dhe Radioterapi që i përket shkencave mjekësore teknike.

Ardit Gjebrea: E zgjodhe vetë?

Klodian Çelmeta: Ishte kryesisht pëlqimi i prindërve që unë të vazhdoja këtë degë duke parë edhe rezultatet e mia të larta gjatë gjimnazit, por pasioni ishte diku  tjetër.

Ardit Gjebrea: Me kalimin e kohës, fillove ta shohësh si një mundësi për të pasur një profesion në të ardhmen apo jo?

Klodian Çelmeta: Po,  deri diku.  Por sa më shumë kalonte koha, unë shikoja dhe dëgjoja atë thirrjen brenda meje që  ishte pasioni im për teatrin.  Edhe gjatë kohës që vazhdoja studimet, unë kërkoja që të merresha dhe të angazhohesha me projekte të ndryshme artistike.

Ardit Gjebrea: Po mirë, ti e mbarove Bachelorin?

Klodian Çelmeta: Po.

Ardit Gjebrea: Pra e mbarove? E ke një diplomë në xhep? Je imazherist?

Klodian Çelmeta: E kam një diplomë në xhep.

Ardit Gjebrea: Tani, u  fute për në xhepin tjetër, një diplomë tjetër dhe është e pazakontë realisht që të dëgjosh që dikush që mbaron në një degë të caktuar në Bachelor, vendos të fillojë nga e para. Fillove Universitetin e Arteve apo jo?

Klodian Çelmeta: Fillova Universitetin e Arteve për degën Regji-Teatër.

Ardit Gjebrea: Prindërit çfarë thanë?

Klodian Çelmeta: Sado i pjekur ose maturë të jesh, je 17 vjeç dhe prindërit të paktën, mentaliteti shqiptar e shikon sikur ti nuk je i vetëdijshëm plotësisht për zgjedhjen tënde. Ndërsa, me kalimin e kohës, unë u vërtetova atyre që ky është pasioni im dhe kjo është çfarë dua të bëj. Kur mbarova ciklin Bachelor, ata ishin shumë entuziastë dhe shumë përkrahës.

Ardit Gjebrea: Si e projekton ti veten tënde?

Klodian Çelmeta: Tani për tani jam totalisht i fokusuar te teatri, te regjia. Dua që të eksperimentoj dhe të ndjek këtë thirrjen time. Nuk e di sesa përkrahje do të kem nga tregu, por që gjithsesi kam një plan B në xhep.

/tvklan.al