#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #Xhuljeta#Merita#viti’97#banda#divorc#magji#koreograf#femije#vjeherr#mesuese#Itali#Vlore#art#shkolle

Plumbat e gëzhojat u fluturonin mbi kokë, Xhulieta përshkruan skenën tronditëse: Kamionë me bomba e mitralozë

Rrëfimi i Xhulietës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nis në Vlorë ku ajo u lind në vitin 1977. Gjatë rritjes, ëndrrat e saj lidheshin me artin, me të bukurën por u detyrua të ndiqte një shkollë profesionale ku u diplomua si elektriciste. Vitet më të vështira që ajo kujton ishin vitet e luftës.

Shtëpia e Xhulietës ndodhej në lagjen e Çoles ku pranë kishin familjet e bandave. Të gjithë ndiheshin të frikësuar dhe të kërcënuar, por në mendjen e saj janë ngulitur disa momente shumë tronditëse që i rrëfen në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.


Xhulieta: Kur ne do shkonim në shkollë sepse na thoshin që nëse nuk do shkosh nuk ta japim vitin dhe unë isha në përfundim të vitit të katërt, u desh që të merrja dhe mtorën më të vogël që e kisha në atë shkollë dhe këto bandat shkëmbehen me njëra-tjetrën dhe na vijnë gëzhojat përpara, shtrihemi përtokë dhe ku të kërkosh ndihmën, veç Zotin ke lart, po shpëtove, shpëtove. Por edhe pse me ato pengesa, ne shkuam prapë në shkollë. Por edhe kur shkuam në shkollë, ata hynë në katin e parë, përplasen me njëri-tjetrin por prapë këto gëzojat vijnë lart sado që isha në katin e katërt, përplasen në dërrasë dhe ne si nxënës shkojmë poshtë bankave të shkollës dhe dalim lart nëpër korridore. Skena e dytë që ka qenë ajo që kam patur edhe më vonë, në gjumë trembesha, kur u rrethua pallati me disa kamionë të hapur që ishte plot me bomba dhe ishin këta çunat e bandave të zhveshur gjysmë, me ato vargjet e plumbave, me armë dhe u ngjitën mbi pallatin tonë. Kishin një mitraloz shumë të madh, me dy, me tre këmbë dhe tronditej pallati kaq shumë saqë mori krisje, xhamat u thyen.

Ardit Gjebrea: Dhe ju ishit në shtëpi.

Xhulieta: Unë isha me mamin, me babin dhe dy motrat më të vogla.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë që kishe edhe një vëlla.

Xhulieta: Nuk ishte aty për faktin sepse ishte larguar nga ajo lagje për faktin se këto bandat i detyronin çunat, i merrnin edhe me zor.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë atëherë pothuajse çdo familje mbante armë në shtëpi, flasim në ato zona që ishin shumë të ndjeshme. Ju kishit?

Xhulieta: Po, mua ma ka sjellë në fakt vëllai, ma ka mësuar sesi shkrepet, si mbushet. Herën e parë rashë mbrapa, nuk e dija sepse ajo të shtyn mbrapa.

Ardit Gjebrea: Kur qëllove?

Xhulieta: Po, në ballkon, në ajër për të mësuar që nëse dikush do vinte, të hynte në shtëpi, t’u bënte dëm motrave, prindërve unë isha ajo më e madhja edhe pse ishte babi normale, më e madhja që të mbronte ato më të voglat. Dhe e kam mësuar aty sesi mbushet një armë, si qëllohet. Ai ma mësoi dhe pastaj u largua me urdhër të babit se aty ishte e rrezikshme. Dy vëllezërit e tjerë tashmë ishin larguar në Itali.

“Fëmija i vdekur në bark prej një muaji”, rrëfimi shokues i Xhulietës: Vjehrra më priti me ironi!

Martesa e parë e Xhulietës nuk ishte e lumtur. Bashkëshorti i dikurshëm e shihte çdo ditë pasi ajo mbaronte mësimin dhe vendosi t’i kërkonte dorën. Ai ishte inxhinier ndërtimi në profesion dhe dukej se gjithçka do të shkonte mirë, ndaj prindërit ranë dakord.

Ai kishte shkuar në Itali dhe pas viteve të trazirave, çifti bën një dasmë dhe zhvendoset në Itali. Atje Xhulieta jetonte me bashkëshortin, dy vëllezërit e tij dhe bashkëshortet e tyre e vjehrrën. Ajo tregon në ”Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se me ta shkonte mirë, por e kundërta ndodhte me vjehrrën.


Xhulieta: Ajo kishte lindur vetëm për të të bërë keq se nga i keqi nuk mund të presësh gjëra të mira.

Ardit Gjebrea: Po pse? Kur një vjehrrë shikon një nuse që i dedikohet bashkëshortit, që kujdeset deri edhe për dy vëllezërit, përse duhet të ketë probleme?

Xhulieta: Në fakt këtë pyetje ia kam bërë vetes sepse që në pamje kur ka ardhur për të shkëmbyer unazat, që në pamje të parë, sepse unë jam një njeri që kur kam përballë një person, e shikoj që nëse më transmeton një energji pozitive unë rri bisedoj dhe ndihem rehat. Nëse një person e shikoj që më transmeton një energji negative, stepem, nuk flas, bllokohem.

Ardit Gjebrea: Tani si ndihesh?

Xhulieta: Shumë mirë.

Ardit Gjebrea: Mirë se kjo është e rëndësishme. Për ta ç’dramatizuar se unë e di se ç’vjen tani, çfarë bënte vjehrra jote?

Xhulieta: Pasi unë linda çunin e parë, u sëmura dhe në Itali nuk gjenin asgjë në trup fizikisht sepse isha vetëm 23 vjeç dhe isha një lule.

Ardit Gjebrea: Por ti ishe e sëmurë.

Xhulieta: Po.

Ardit Gjebrea: Dhe s’kishe asgjë.

Xhulieta: Asgjë fizike dhe dyshimet e para kanë filluar kur në bisedat e saj, nëse ajo do nxehej, nëse unë do i ktheja fjalën, ajo kishte një kërcëllitje të dhëmbëve, sikur të kërcënonte. Nuk mund të ta përshkruaj në momentin kur irritohej, sesi dridhej, mimika e fytyrës… Skena që më kanë ngelur, nuk e di nëse do t’i harroj ndonjëherë.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë mbete shtatzënë me një tjetër fëmijë.

Xhulieta: Po, me një gocë. Kam arritur deri nga muaji i shtatë, i tetë, jo aq mirë shtatzënia. Kur shkova për të bërë ekografinë e fundit që do të lindja, më binte të fikët, nuk ishte një shtatzëni e qetë. Kur shkoj të bëj ekografinë e fundit ato kanë kërkuar të flasin menjëherë me bashkëshortin dhe unë e kuptova sepse zemra e fëmijës nuk rrihte më. Kur erdhi bashkëshorti i thanë që “kjo është në rrezik jete sepse i ka vdekur fëmija, ka një muaj në bark dhe i ka marrë infeksion trupi e barku dhe duhet menjëherë ta lindë. Nëse kjo nuk e lind rrezikon të humbë jetën”.

Ditën e kthimit nga spitali,  Xhulieta ishte e dërrmuar. Në shtëpi nuk u kthye dot me vajzën në krahë, por nuk mundi as ta varroste sepse nuk kishte marrë një arkivol me trupin e saj. Në shtëpi, vjehrra e priti me një këngë të kobshme.

Xhulieta: Kur ngjitem kjo ishte ulur në divan, u ngrit dhe tha “moj çupa në Elbasan që s’të bleva dot fustan” edhe qeshte “hahahaha” dhe më dukej si ai filmi i Borëbardhës. Thashë po e meritoj unë që pasi kthehem nga një dhimbje kaq e madhe të më presë vjehrra me një ironi të tillë, jo që të më ngushëllojë? Aty kuptova tamam që ajo nuk ka zemër, ajo nuk ka shpirt, ajo ka lindur t’u bëjë keq njerëzve sepse ajo mund të më quante bijën e saj. Unë lashë prindër, prindër gjeta por nuk thashë të lija prindër e të gjeja një shtrigë të më keqtrajtonte duke ditur sakrificat që kanë bërë prindërit e mi që kanë rritur 8 fëmijë.

Ardit Gjebrea: Kështu sillej me ty edhe në sy të ish-bashkëshortit tënd?

Xhulieta: Jo. Kur ishte ai ishte më e ëmbël, kur ai ishte në punë. Kur ishte me mua, nuk bënte asnjë punë, vetëm ofendonte, godiste me ndonjë, si ato arrëzat, cëk dhe ikte.

“Më mbysin frymët e liga”/ Jeta me vjehrrën magjistare: Ngrihesha natën e tmerruar,vjehrri u zhduk. Çfarë gjeta në çantën e zezë!

Pas martesës, në jetën e Xhulietës nisën të ndodhnin gjëra të çuditshme. Prej kohësh ndihej e sëmurë, por mjekët nuk gjenin asnjë shkak. Po priste fëmijën e dytë kur mësoi se e kishte humbur tragjikisht ende pa e sjellë në jetë. Vjehrra e keqtrajtonte, bënte sjellje të pashpjegueshme gjatë debateve dhe jeta në çift nuk shkonte mirë.

Xhulieta tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se kishte gjithnjë një ndjesi mbytëse në shtëpi. Ajo ngrihej natën e tmerruar, ndërsa vjehrra mbante dritat ndezur dhe nuk mund të flinte.


Xhulieta: Unë kur flija në shtrat,  gjithë natën më mbyste diçka këtu në kraharor. Ngrihesha e tmerruar, e trembur, kishte diçka frymore në shtëpi që mua nuk më linte të jetoja e qetë. Ajo nuk fliste, vetëm rrinte kështu në divan gjithë ditën, pa bërë asgjë. Nuk mund të rrijë një njeri thashë në këtë moshë pa bërë asgjë. Ajo nuk flinte natën ose mbante dritën ndezur. Unë i thosha mami pse nuk fle natën, mban dritën ndezur, ke ndonjë shqetësim fizik? Ajo thoshte “nuk më lënë të fle, më mbysin frymët e liga”.

E vendosur për të zbuluar misterin, Xhulieta nisi të kërkonte përgjigje, e papërgatitur për atë që do të mësonte.

Xhulieta: Mbante gjithmonë në dollap një çantë të zezë me kyç. Thosha mami çfarë ka këtu benda? “Janë kujtimet e nënës time” thoshte, “mos e prek me dorë”. U bëra kurioze se isha keq, keq, keq, nuk po arrija dot të kaloja as ujin më.

Ardit Gjebrea: Ti veçse sëmureshe.

Xhulieta: Sëmuresha, erdhën familjarët, ishte e pamundur. Babi kishte marrë vesh edhe nga disa pjesëtarë të lagjes që kjo i bënte magji gjithë lagjes së vet. Thanë “ku e ke dhënë gocën?” Tha “e kam dhënë te filania, po çfarë ke bërë kështu? Ajo krejt lagjes i bën magji, goca jote është në rrezik. Asaj edhe burri i është zhdukur, nuk i është gjetur më”. Kur unë jam fejuar, vjehrri im doli nga shtëpia, s’u kthye më. U fillua me një tragjedi, nuk u gjet kurrë trupi i tij, asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Më thuaj pak e hape çantën?

Xhulieta: E hapa çantën, kur ajo ishte në banjë gjeta forcën sepse e kuptova që kishte diçka. E kam mbylur me çelës derisa unë të kryeja ato që doja të bëja. Ishte me kyç dhe nuk dija si, mirëpo çanta ishte rrobe dhe e kam grisur me gërshërë, e kam hapur. Unë nuk e di, jam tmerruar. Atje kishte flokë, kishte thonj, kishte gjëra të shpifura. Unë e kam marrë, kam lajmëruar menjëherë vëllezërit, ka ardhur edhe vëllai e ka parë. Ajo është dridhur si një tërmet që “pse m’i preke gjërat e mia?” I thashë ky është zanati yt? Ja pse ty po të vdesin njerëzit, ja pse po të ndahen nuset sepse ti u bën keq pjesëtarëve të familjes, imagjino pjesëtarëve të tjerë që jetojnë në lagje. A do që unë të vdes, se gocën ma vdiqe, burrin ma sëmure, mua më sëmure, a do që mua të më mbyllin në psikiatri?

Ardit Gjebrea: Çfarë tha?

Xhulieta: Tha “e di ti që për çfarë të ka marrë djali im?” Për çfarë më ka marrë i thashë, për të krijuar familje. “Mua më do si nënë, ndërsa ty të do veç për shtrat”, tha dhe pastaj unë e kam lënë, e kam prishur martesën.  Ai ka marrë nënën e vet, unë kam marrë djalin tim, unë i kam dalë për zot jetës time dhe ai është akoma atje ku e kam lënë.

“Koreografi u dashurua me balerinën”/ Xhulieta: “Romeo” më tërhoqi nga flokët ditën e celebrimit!

Pas largimit nga shtëpia e ish-bashkëshortit ku mësoi se ishte vjehrra që i bënte magji, jeta e Xhulietës ndryshoi. Ajo u vendos në një shtëpi vetëm me djalin dhe të gjitha problemet e mëparshme u zhdukën. Me kohën, nisi të ndiqte edhe ëndrrën e saj për të qenë kërcimtare.

Përmes një shoqate shqiptarësh në Itali, njohu një koreograf shqiptar dhe nisi të frekuentonte leksionet e tij. Xhulieta kujton në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se dukej një histori e bukur dashurie, me serenata e art.


Xhulieta: Vazhdova dhe isha balerina e preferuar e koreografit.

Ardit Gjebrea: Dhe pastaj jo vetëm.

Xhulieta: Pastaj koreografi dashurohet me balerinën kryesore. Gjithashtu edhe mami i vet u dashurua me këtë balerinën.

Ardit Gjebrea: Dhe thatë përse mos të martoheni?

Xhulieta: Përse jo? Vinte nga një familje artistësh, e pashë, ishte romantik sepse vinte poshtë ballkonit çdo natë dhe më këndonte serenata sepse ai i binte edhe kitarës.

Ardit Gjebrea: Si e ke emrin ti?

Xhulieta: Unë?  Xhulieta.

Ardit Gjebrea: E pra, të vinte Romeo.

Pas 6 muajsh lidhje, familja bie dakord që Xhulieta të vijonte jetën me të. Ajo ishte ende dyshuese për shkak të 15 viteve diferencë, por duke qenë se vinte nga një familje artistësh, prindërit e saj e gjykonin si një bashkim të drejtë. Nga Italia kthehen në Vlorë ku bëjnë një festë të madhe dhe më pas në Durrës për të kryer celebrimin. Në pritje të zyrtares që do t’i celebronte, ulen për të pirë diçka.

Xhulieta: U ulëm, ai filloi të pinte raki, një gotë, dy gota, gjysmë kile, një kile raki. Thashë ç’po bën ky se ky do martohet sot me mua? Tha kunati n”uk e di që ky pi alkool dhe ish-gruaja e parë e ka lënë për këtë ves?” Jo i thashë, s’ma ka thënë asnjë dhe unë s’kam kuptuar asgjë. E pse pikërisht sot që ai do martohet me mua duhet të pijë apo mendon se e hodhi Xhulin në dorë dhe ai mund të heqë maskën e vet, veset që ai kishte mbuluar?

Ardit Gjebrea: Çfarë bëre?

Xhulieta: Më thotë hip në makinë se do ikim te gjendja civile. Thashë unë nuk hipi në makinë me një të dehur sepse rrezikoj jetën. Normale që një i dehur çfarë bën? Heq për gjithë lokalin zvarrë për krahu, për flokësh!

 Ardit Gjebrea: Ty? Të kapi prej flokësh?

Xhulieta: Po. Aty ishin të gjithë klientët, kushërira e vet, tezja, nëna. Më ka bërë përshtypje, asnjë nuk u ngrit të më dilte krah.

Kishte mbetur shtatzënë me partnerin e alkoolizuar, Xhulieta: Më goditi në kokë me shishen e verës

Dita e celebrimit ishte një tmerr për Xhulietën. Aty mësoi se “Romeo” që i kishte hyrë në zemër, që i bënte serenata, që i kishte mësuar të kërcente, ishte një i alkoolizuar që e tërhoqi nga flokët. Ajo e kishte vendosur të mos martohej me të, por ndërkohë ishte në pritje të një fëmije.

Xhulieta shprehet në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se nuk e mendonte ta hiqte fëmijën. Momenti i shpëtimit për të erdhi si pasojë e një episodi dhune.


Xhulieta: Ishim në një darkë në shtëpi. Ai kishte ftuar një shokun e vet që është muzikant. Do bënin disa prova sepse këndonim edhe në italisht, në karaoke, nëpër lokale. E fton shokun e vet, po hanin, po pinin, kisha edhe çunin, gocën në krah, ishte 10-muajshe. I thashë zemër mjaft se ke pirë shumë tani dhe ia mora shishen e verës ta çoja te bufeja. Ai e merr, thotë ”kush je ti që ma merr mua nga dora” dhe më godet në kokë.

Ardit Gjebrea: Me shishen e verës.

Xhulieta: Me shishen e verës prej qelqi.

Ardit Gjebrea: Ti re pa ndjenja.

Xhulieta: Po. Çuni që ishte adoleshent ka thirrur ambulancën, por aty ka ligje. Në momentin që shihet një grua me një fëmijë të vogël, e qëlluar gjithë gjak dhe dy minorenë,  aty shpërthen policia.

Ardit Gjebrea: Dhe ai dënohet me dy vite burg në mos gaboj.

Xhulieta: Po, dënohet, e mbaron dënimin, kërkon të kthehet dhe të shikojë gocën.

Xhulieta e lejoi ta shihte vajzën e cila ishte tre vjeçe dhe ai i thoshte të voglës se “donte të bëhej një baba i mirë për të”. Fjalët e tij Xhulieta thotë se nuk i besoi aspak ndryshimit të tij. “Gjëja e parë kur u futa në banesën e tij, tha zemër, do të pish pak?”, përfundon ajo.

/tvklan.al